Dy persona rezultojnë të humbur, pasi rrjedha e një përroi ka marrë përpara makinën me të cilin po udhëtonin. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në Shkrel të Malësisë së Madhe. Në makinën e drejtuar nga 50-vjeçari Pjetër Rushaj ishin edhe 2 fëmijët e tij, vajzë dhe djalë. Vajza ka mundur të dalë e ndihmuar nga banorët e zonës. Ndërsa babë e bir janë ende të zhdukur.

“Në vendngjarje ndodhen polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH-së Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, të cilët po punojnë për gjetjen e dy shtetasve (babë e bir)”, – bën të ditur njoftimi i policisë.

Advertisements

Prej mbrëmjes së djeshme, e gjithë zona, në veri dhe verilindje të vendit, është goditur nga një mot i keq. Shira të dendur kanë vazhduar me intenstitet të lartë dhe gjatë ditës.

Reshjet e dendura të 24 orëve të fundit po shoqërohen me dëmtime të shumta në Shkodër, Lezhë, Malësi të Madhe dhe në Vaun e Dejës. Sipas emergjencave civile, më shumë se 500 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur.

Dhjetëra banesa, sera dhe biznese private gjenden nën pushtetin e ujit. Energjia elektrike është ndërprerë në pjesën më të madhe të fshatrave. Disa familje janë evakuuar. Në zonë janë forcat e emergjencave civile të ndihmuara dhe nga njësi të ushtrisë. ©LAPSI.al

Advertisements