Policia e Beratit ka arrestuar mësuesin 62-vjeçar Servet Bejo, pasi u denoncua dje nga një emision televiziv se kishte ngacmuar një nxënëse të mitur 14-vjeçe në shkollën 9-vjeçare të fshatit Barç të Skraparit, ku punonte.

Mësohet se ai është ndaluar nga efektivët e policisë dhe mbahet në ambientet e Komisariatit të Policisë së Beratit, ku po merret në pyetje në lidhje me ngjarjen, që sipas të miturës ka ndodhur më 10 nëntor. Burime konfirmojnë në ambientet e policisë ndodhet edhe e mitura 14-vjeçe së bashku me prindërit e saj. Ajo është duke u marrë në pyetje, jo vetëm në prani të prindërve, por edhe të dy psikologeve të DVP Berat, për të dhënë dëshminë e saj mbi ngjarjen në fjalë.

Advertisements

E mitura tregoi se mësuesi Servet Bejo, e kishte kapur për flokësh dhe e kishte puthur në buzë, më pas e kishte shtrënguar pas murit.

“Atë orë kishim fiskulturë, por unë hyra në klasë dhe po lexoja fizikën, mësuesi më tha qenke bërë shumë e bukur, m’u afrua, dhe më pyeti a të të puth në buzë. Unë i thashë jo, por largoju andej. Ai më kapi flokët dhe më puthi në buzë. Më pas më ka shtrënguar pas murit.” tregoi e mitura.

14-vjeçarja thotë se mësuesi e ka kërcënuar që të mos tregojë për episodin, por në fakt vajza ka bërtitur dhe në ato momente ka shkuar motra e saj, po nxënëse e asaj shkolle një vit më e vogël. Pas kësaj dite, mësuesi Servet Bejo kishte dhënë dorëheqjen, me arsyetimin se e kërcënuan familjarët e të miturës.

Advertisements

Mësohet se ndaj mësuesit janë duke dëshmuar edhe prindërit e disa familjarë të vajzës, sipas të cilëve mësuesi i ka kërcënuar pas ngjarjes që askush prej tyre të mos denonconte. Mësohet se edhe pse vajza kishte vënë në dijeni drejtoreshën e shkollës, askush nuk kishte njoftuar policinë e cila e ka mësuar ngjarjen nëpërmjet mediave. Servet Bejo është larguar nga shkolla menjëherë pas ngjarjes dhe prej 11 Nëntorit 6 fëmijët e shkollës 9-vjeçare në fshatin Barç nuk bëjnë mësim pasi shkolla është e mbyllur.