Eksperti i IT, Said Duleviç thotë se shteti nuk mund të shikojë sesa para ka një person në llogarinë e tij, nëse bankat e nivelit të dytë do të kalojnë në platformën qeveritare, e-Albania.

Në emisionin “Good Morning Albanias”, ai u shpreh se llogaria mund të shihet vetëm nëse dikush ka akses në të.

Advertisements

“Vetëm në rastin që ka akses te llogaria e bankës mendoj, sepse duke parë transaksionet, ai sheh vetëm lëvizjet e parave që janë bërë. Nuk sheh dot gjendjen aktuale të llogarisë tënde, sepse kjo do të kërkonte që ky person duhet të ketë numrin e llogarisë, duhet të ketë edhe password-in, duhet të ketë edhe aksesin 6 shifror që vjen të numri i telefonit.

Këtë mund ta bëjë vetëm banka mendoj, por bankat kanë një lloj sigurie, që nëse dalin informacionet sekrete që kanë ato, do t’i prishej komplet imazhi dhe asnjë bankë nuk do ta donte këtë”, theksoi ai.

Në fillim të vitit që vjen bankat tregtare dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) pritet të nisin ndërveprimin midis portalit e-Albania dhe platformave bankare të internet banking. Kjo do të mundësojë kryerjen e pagesave të tarifave për shërbimet e ofruara nga e-Albania direkt nëpërmjet llogarive bankare.

Advertisements

Burime nga sektori bankar bëjnë të ditur se ndërveprimi do të bëhet me një autentifikim të veçantë të klientit për hyrjen në platformën e e-banking nga e-Albania, të njëjtë me procedurën që ndiqet për akses nëpërmjet faqes apo aplikacionit të bankës. Ky filtër sigurie tenton të parandalojë ekspozimin e të dhënave të llogarive bankare ndaj rreziqeve të sigurisë që mund të vijnë nga sulmet kibernetike.