Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar për vdekjen e 32-vjeçarit, Lear Kurti në ambjentet e Komisariatit Nr.3 në Don Bosko.

Në një deklaratë për media, Komiteti thekson se gjendja jo e mirë shëndetësore e 32-vjeçarit ka qenë një fakt i ditur nga policia që në orën 23:34, ndaj dhe duhet ta dërgonin me urgjencë në spital dhe jo në komisariat, sipas Nenit 17 dhe 89 të Ligjit për Policinë e Shtetit.

Advertisements

Komiteti Shqiptar i Helsinkit thekson se Policia e Shtetit me shoqërimin e të riut ka shkelur nenin 27 të Kushtetutës dhe nenin 5 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

“Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) duke marrë shkas nga të dhënat e medias të datës 20.10.2022 mbi 32 vjeçarin L.K, sipas të cilave rezultonte se ai ishte shoqëruar ne Komisariatin e Policisë nr. 3 (Tiranë), dhe në vijim ishte dërguar në Spitalin e Traumës ku ishte konstatuar vdekja e tij, vlerësoi të nevojshme që këto të dhëna të verifikohen në vend.

KSHH e sheh të nevojshme të përmendë se në rastin konkret, nuk ndodhemi as para shoqërimit, ndalimit dhe as para arrestimit në flagrancë, që parashikon Kodi i Procedurës Penale. Në këto rrethana, punonjësit e Policisë kanë vepruar në kundërshtim me nenin 27 të Kushtetutës dhe nenit 5 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që parashikojnë rastet kur mund të kufizohet liria e personit.

Advertisements

Nga të dhënat e verifikuara nga Raporti i shërbimit, i hartuar nga salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ka rezultuar se gjendja jo e mirë shëndetësore e shtetasit L.K. është konstatuar nga forcat e rendit në orën 23:34. Duke patur parasysh sa më sipër, punonjësit e Policisë do të duhej të zbatonin në mënyrë strikte nenin 17 pika “a” dhe nenit 89 pika “c” të Ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, duke transportuar menjëherë dhe në mënyrë urgjente shtetasin L.K. në spital, dhe jo ta çonin në ambientet e Komisariatit.

Duke mbajtur në konsideratë natyrën e çështjes, në raste të tilla është organi i Prokurorisë që duhet të hetojë më tej për ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga forcat e policisë, shkakun e vdekjes së viktimës dhe nëse kjo ngjarje mund të parandalohej, në kushtet e veprimeve apo mosveprimeve që përfaqësuesit e rendit publik kishin si detyrim të kryenin”, thuhet në deklaratën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.