Një fanellë e veshur nga Majkëll Xhordan, ka vendosur një rekord të ri pasi është shitur në ankand në Nju Jork për një shifër të pabesueshme. Shtëpia e ankandeve “Sotheby’s”, bëri të ditur se sot është vendosur një rekord i ri pasi fanella e famshme e finaleve të NBA të vitit 1998 e veshur nga Majkëll Xhordan, është shitur për 10,1 milionë dollarë.

Xhordan veshi këtë fanellë të kuqe të Çikago Bulls me numrin 23 në ndeshjen e parë të serisë të finaleve të vitit 1998, ku ekipi i tij triumfoi 4-2 ndaj Utah Xhez në serinë e ndeshjeve duke u shpallur kampion për herë të fundit në atë dinasti shumë të suksesshme. Megjithatë, fanella që u shit në ankand ishte veshur në ndeshjen e parë të cilën Çikago e humbi në kohën shtesë 85-88.

Advertisements

Ankandi kishte filluar me 5 milionë dollarë dhe pas 20 ofertash për këtë fanellë, ishte mbyllur me shifrën 10,1 milion dollarë e cila vendoste rekordin e ri për veshmbathjet sportive në ankande të këtij lloji.

Rekordi i mëparshëm i përkiste fanellës së Diego Maradonës me të cilën kishte shënuar dy golat legjendarë në ndeshjen ndaj Anglisë, e cila ishte shitur për 8,4 milionë euro vetëm pak muaj më pare.