Sot pritet të zhvillohet në Gjykatën e Apelit të Tiranës seanca ndaj deputetit të Partisë Demorkatike, Ervin Salianji, i cili u dënua me një vit burg nga gjykata e shkallës së parë. Salianji u shpall fajtor për veprën penale kallëzim i rremë në lidhje me çështjen “Babale”. Në apel e ka çuar çështjen dhe gazetari Jetmir Olldashi, i cili u dënua me 6 muaj burg të konvertuar në 100 orë shërbim komuniteti. Nëse Apeli do të vendosë nëse do të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, apo do ta shpallë të pafajshëm apo do të japë një vendim alternativ.

Nëse do lihet në fuqi vendimi atëherë do kemi dënimin me burg të një deputeti. Por për t’i shprehur mbështetjen Salianjit në këtë moment, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj u ka nisur një mesazh deputetëve, duke u kërkuar të jenë të pranishëm në sallë dhe e ka cilësuar procesin orkestrim hakmarrës politik. “Përshëndetje kolegë! Ndoshta jeni ne dijeni që te hëne, date 4 korrik ora 2 në Gjykatën e Apelit zhvillohet gjyqi nga kolegut Salianji.

Advertisements

Siç dihet dhe siç është bere publike, e gjithë ngjarja dhe procesi gjyqësor vijues janë një orkestrim hakmarrës politik i pastër nga qeveria dhe eksponentë politike te mazhorancës. Është detyrim se pari njerëzor e pastaj edhe politik qe se paku deputetet tanë anëtare të Komisionit të Sigurisë të jemi te pranishëm ne sallë ditën dhe orën e gjyqit”, thuhet në mesazhin që Alibeaj i ka dërguar deputetëve, të cilin gazeta “SOT” e ka siguruar të plotë.

Reagon deputeti Salianji

Ndërkohë deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka treguar dje se do të jetë në seancën gjyqësore që pritet të zhvillohet sot. I pranishëm në një takim me strukturat e selisë blu në Korçë për protestën e 7 korriku, Salianji ka folur edhe për përballjen në gjyq. “Nesër unë do jem aty, do jem i pranishëm në seancë ashtu siç kam bërë çdo herë tjetër.

Advertisements

Drejtësia në këtë vend është e penguar, e vonuar, nuk hetohen, s’ka përballje por ka akuza ndaj gazetarëve dhe njerëzve që denoncojnë. Unë nesër do jem aty por tani fokusi është te protesta, organizimi i qytetarëve. Shumica e grupit parlamentar ka shprehur qëndrimin se do jetë pjesë e protestës. Alibeaj dhe Bardhi kanë qëndrimet e veta, varet se ku e vendos objektivin dhe fokusin, secili ka arsye për të protestuar kundër Ramës. Qëndrimet e mia janë publike”, deklaroi Salianji.

Ja çfarë është dosja “Babale”?

Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin “Babale”.

Në përgjimet e publikuara por edhe në të tjera që Prokuroria dispononte, Alizoti komunikonte me asokohe shefin e Policisë së Fierit, Albert Nushin (emri i del edhe tek vrasja e Pjerin Xhuvani) për shpërblime/pako që duhet të merrte, e gjithashtu flitej edhe për një “shef të madh”. Ekspertët e huaj vlerësuan se zëri në përgjime ishte i ngjashëm me atë të Geron Xhafës. Por ekspertiza nuk mund ta thoshte me siguri për shkak të cilësisë së audio-regjistrimit. Gjykata Penale dënoi me 1 vit burg deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji për akuzën e “kallëzimit të rremë”, në lidhje me dosjen “Babalja”.

Bashkë me Salianjin u dënuan edhe personat e tjerë të përfshirë në këtë dosje. Fredi Alizoti, (i njohur si kunati i Babales), u dënua me 2 vite burg për kallëzim të rremë, Albert Veliu, i njohur ndryshe edhe si “Babalja” u dënua me 3 vite e 5 muaj burg, ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 5 muaj burg, që iu konvertua në 100 orë punë në komunitet.