Qytetarët e Devollit duket se janë të pa kënaqur me përfaqësimin e tyre politik, dhe me gjasa nga deputeti i majtë i kësaj zone Ilir Topi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, me nota ironie krahina e ka shpallur në kërkim duke e konsideruar si të humbur.

Advertisements

Në apelin publik, ata kërkojnë nga ligjvënësi i tyre më shumë angazhim në përmbushje të vetë zotimeve të tij gjatë fushatës elektorale.

Postimi i plotë

Kjo faqe modeste qysh nga krijimi i saj, ka shërbyer përherë për të reklamuar turizmin e zonës së Devollit, për të përcjellë zhvillime social-kulturore të devollinjve apo për të nxjerrë në pah vlerat e krahinës duke sjellë një sërë mesazhesh për traditat e zakonet tona apo personalitete të shumtë, kontributin e së cilëve duhet ta njohë çdo brez.

Advertisements

Kjo faqe nuk ka pasur kurrë për qëllim të ndërhyjë në çështje politike për të komentuar njërën apo tjetrën palë, duke pasur në themel vetëm flamurin e krahinës sonë dhe asnjë flamur tjetër partiak

. Por këtë herë, vendosëm të reagojmë pas emergjencës së fundit pasi banorët e Devollit na janë ankuar se s’po gjejnë dot deputetin e tyre, zëdhënësin e shqetësimeve ku duhet të kanalizohen problemet për të gjetur zgjidhjen.

E ndjemë për detyrë më shumë se kurrë për të apeluar publikisht pasi devollinjtë s’e kanë parë prej kohësh prezent dhe kjo gjë i ka shqetësuar më shumë sesa vetë hallet e tyre jo të pakta.

Devollinjtë kanë pasur shumë përfaqësues ndër vite, të mirë a të këqinj, të mirëarsimuar e analfabetë, të përkushtuar e indiferentë nga çdo parti, por kurrë nuk kanë humbur një politikan në këtë mënyrë.

Çudia është që ai e do aq shumë Devollin por që pas 25 prillit nuk duket kërkund. Hera e fundit që thuhet se e kanë parë ka qenë pranë një bankomati ku ai është paraqitur për të tërhequr rrogën që merr nga puna në Kuvend si deputet ku paraqitet, shënon emrin dhe pret kalimin e rrogës si përfaqësues i devollinjve.

Ai nuk është parë as në ngjarjet ku Devolli u përball me një mot ekstrem në dimër ku ndihma e munguar detyroi banorët të rrëmbejnë lopatat edhe pse paguajnë taksa për të marrë shërbime.Ai nuk është parë as atyre zonave të thella që u izoluan, patën mungesë energjie, bllokim rrugësh, mungesë ushqimesh, etj.

Në raste të tilla kur fshatra të tëra izolohen, ky individ do donte shumë të ushtronte përgjegjësinë e tij por fatkeqësisht rezultoi i humbur duke lënë tërësisht zbuluar edhe pushtetin vendor i cili fatkeqësisht nuk ka kapacitetet e duhura për të ndërhyrë.

Ai nuk është parë as kur devollinjtë hidhnin djersën e tyre përrenjve dhe lumenjve, e me gjasa kjo mund të përsëritet sërish nëse masat nuk merren në kohë.

Ai nuk është parë as kur moti i shkatërroi devollollinjve të mbjellat duke i shkaktuar dëme të shumta.Ai nuk është parë as të ngrerë zërin për projekte që shkatërrojnë florën dhe faunën e Devollit, që gërryejnë lumin Devoll dhe thajnë parcelat me projekte HEC-esh që meritojnë si përgjigje nga devollinjtë vetëm dinamitin.

Ai nuk është parë as të reagojë për problemet që kanë bujkët me këtë marrëzi çmimesh që ka ngritur në stratosferë plehrat kimike, plugimin, diskimin, etj.Ai nuk është parë as të shpalosë ndonjë vizion për ndonjë politikë blegtorie, bujqësie apo turizmi që duhet ndjekur për të mirën e krahinës. Ai nuk është parë as të përballet me ankesat e bujqve a blektorëve që shesin thuajse falas produktet e tyre të cilat pikojnë gjak e djersë.

Ai nuk është parë as të iniciojë ndonjë debat për braktisjen që po i bëhet zonave rurale sesi duhet të shmanget shpopullimi i tyre. Ai nuk është parë aty ku duhet dhe kjo duket se i ka shqetësuar qytetarët e Devollit të cilët e kanë shpallur të humbur. Ai nuk është parë për…Lutemi, kushdo që e ka parë, që ka ndonjë informacion, që ka një mendim se ku mund të jetë, të kontaktojë menjëherë me këtë faqe që të qetësojmë njerëzit që e kanë shpallur të humbur, ta gjejmë sa më parë…