Mungesa e disa arkave në një kontenier me banane në portin e Durrësit ka vënë dje në pranga 20 persona. Mes tyre janë 16 punonjës sigurie në portin e Durrësit, dy operator firme dhe punëtori i kompanisë me shoferin që prisnin ngarkesën me banane në port. Ata akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Thyerja, heqja, zëvendësimi i shenjave të sigurisë së autoriteteve doganore” pasi një kontenier i ngarkuar me banane u gjet i hapur dhe mungonin disa arka.

Burime për Report TV bëjnë me dije se kontejneri me banane në Portin e Durrësit është konstatuar pasi ishte ngarkuar në kamion për t’u transportuar. Pasi është hapur është gjetur në gjendje të rrëmujshme dhe dyshimet janë se mungojnë nga 45 deri në 50 arka bananesh brenda tij. Dyshohet të jenë hequr dhe të kenë qenë me kokainë, por autoritetet nuk e përjashtojnë mundësinë që të ketë ardhur i hapur që nga jashtë dhe për këtë vijojnë verifikimet.

Advertisements

Po punohet me kamerat e sigurisë për të kontrolluar çdo filmim që mund të ndihmoj në hetime. 20 të arrestuarit, të pyetur nga hetuesit, pretendojnë se nuk kanë asnjë dijeni për heqje arkash me banane në kontenier. Ndërkohë më shumë detaje ka dhënë dje edhe Policia e Shtetet në një njoftim zyrtar. “Kontrolle intensive për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Task Forca permanente e përbashkët, e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e DVP Durrës dhe nga Aurotitetet Doganore të Portit, konstaton një kontenier të paplumbosur të ngarkuar me banane.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve dhe të Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik Financiar, në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, arrestuan në flagrancë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Thyerja, heqja, zëvendësimi i shenjave të sigurisë së autoriteteve doganore” kryer në bashkëpunim, 20 shtetas.

Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë kontrolleve të kryera nga Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e DVP Durrës dhe nga Aurotitetet Doganore të Portit, në Portin e Durrësit është konstatuar një kontenier i paplumbosur me plumbçe. Materialet e para hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Advertisements