Një valë e nxehtë ka përfshirë mbarë Europën, ku temperaturat shënjojnë deri në 10 gradë mbi mesataren.

Sipas meteorologëve, vala e të nxehtit në Europë vjen si rrjedhojë e anticiklonit Afrikan, i cili ka krijuar një shtresë nxehtësie kryesisht në Europën Perëndimore. “Temperaturat janë të ngjashme me ato të vërejtura në korrik apo gusht. Në disa pjesë të Spanjës dhe Francës, temperaturat tejkalojnë mesataren për këtë periudhë të vitit me më shumë se 10 ° C, duke thyer shumë rekorde mujore. Kjo është e kombinuar me thatësirën në shumë pjesë të Evropës”, paralajmëron Organizata Botërore Meteorologjike.

Advertisements

Kjo është një situatë alarmante për gjithë botën, ndaj ata theksojnë se i nxehti “dëshmon shijen e së ardhmes”, duke paralajmëruar kështu ndryshime të mëdha klimatike. “Për shkak të ndryshimeve klimatike, valët e të nxehtit fillojnë më herët dhe po bëhen më të shpeshta dhe më të rënda për shkak të përqendrimeve rekord të gazeve serrë që bllokojnë nxehtësinë. Ajo që ne po dëshmojmë sot është një shije e së ardhmes”.

Mediat italiane raportojnë situatën në disa nga shtetet më të mëdha të Europës dhe SHBA-së, ku janë marrë masa për të shmangur daljet në orët e pikut, të cilat variojnë që nga anulimi i koncerteve e deri te pezullimi i punëve në bujqësi.

Në Francë, që nga java e kaluar, koncertet dhe tubimet publike janë pezulluar në disa zona të vendit, veçanërisht në rajonin e Bordosë ku termometri ka arritur në 43 gradë. Parisi gjithashtu arriti kulmin në 39 gradë pak ditë më parë. Përdorimi i kondicionerëve ka detyruar operatorët e rrjetit të energjisë elektrike të importojnë energji nga vendet fqinje.

Advertisements

Në Spanjë, muaji maj ishte më i nxehti në historinë e Gadishullit Iberik dhe po e njëjta situatë u paraqit edhe në qershor. Këtu alarmi kryesor jepet nga zjarret: 20 mijë hektarë pyje janë shkatërruar në Katalonjë. Në jug të vendit priten temperatura deri në 45 gradë. Spanja po lufton gjithashtu me thatësirën: në pranverë reshjet ishin 25% më pak se normalja.

Në Britaninë e Madhe, ishujt Britanikë preken pak në krahasim me kontinentin. Kjo nuk e pengoi Uellsin që të përjetonte temperatura prej 33 gradë për disa ditë, një nxehtësi absolutisht anormale për rajonin. Një alarm shëndetësor i nivelit të tretë është lëshuar në Londër.

Në Itali, qindra kryebashkiakëve tashmë u është dashur të kufizojnë përdorimin e ujit të pijshëm, veçanërisht në veri por edhe në jug. Në Pulia guvernatori Michele Emiliano ka nënshkruar një urdhëresë që ndalon punët më të rënda (duke filluar nga ato bujqësore) në pjesën qendrore të ditës, nga ora 12:30 deri në 16, deri më 31 gusht.

Në Shtetet e Bashkuara, situata paraqitet kritike veçanërisht në Kaliforni, ku thatësira vazhdon prej tre vitesh. Në shumë qarqe të shtetit, përdorimi i ujit për disa qëllime shtëpiake tashmë është i ndaluar, si për shembull ujitja e kopshteve.