Një aksident i rëndë ajror ka ndodhur ditën e sotme në Florida, ku një avion i kompanisë “Red Air” është përfshirë nga flakët teksa ulej.

Avioni që po vinte nga Republika Domenikane dhe mbante 126 pasagjerë dhe 11 anëtarë të ekuipazhit shpërtheu në flakë duke plagosur lehtë tre persona, ndërsa foto dhe video nga brenda e jashtë avionit janë shpërndarë masivisht.

Advertisements

Në video janë fiksuar momente që tregojnë kaosin dhe panikun që u shpalos teksa pasagjerët dolën nga avioni. Pasagjeri që regjistroi pamjet dukej se mbante një shishe uji dhe po shtynte një çantë dore nëpër korridor, ndërsa njerëzit dëgjoheshin duke bërtitur.

Teksa personi i paidentifikuar lëviz për të dalë nga avioni, një stjuardesë shihet duke i drejtuar pasagjerët nga avioni ndërsa dy pilotët mbeten të ulur në kabinë. Një tjetër stjuardesë po qëndronte pranë derës dhe po ndihmonte njerëzit të zbrisnin.

Sipas raportimeve, pajisjet e uljes së avionit u rrëzuan në pistë, duke shkaktuar që avioni të merrte flakë. Kryebashkiaku i kontesë Miami-Dade, Daniella Levine Cava tha se aparati i uljes së avionit u “shkatërrua” nga përplasja.

Advertisements