Kursi i këmbimit të Euros vazhdon të shënojë rekorde të reja në rënie.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ditën e mërkurë Euro preku një minimum të ri historik, duke arritur nivelin e 119.54 Lekëve.

Advertisements

Agjentët e këmbimit valutor mendojnë se rënia e paprecedentë e Euros kundrejt Lekut tashmë po nxitet kryesisht nga sezoni. Sipas tyre, në ditët e fundit ka një rënie të ngadaltë, por të qëndrueshme të kursit, të lidhur kryesisht me shtimin e prurjeve nga turizmi.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, deficiti i llogarisë korrente për tre muajt e parë të vitit kishte vlerën e 233 milionë Eurove, vlerë kjo 57% më e ulët krahasuar me tremujorin e fundit 2021 dhe 22% më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat nga turistët për tremujorin e parë të vitit arritën vlerën rekord të 409 milionë Eurove, në rritje me 70% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Advertisements

Edhe të ardhurat nga shërbimet e fasonerisë shënuan një vlerë rekord prej 158 milionë Eurosh, 24% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Agjentët e këmbimit presin që tendencat e kursit të jenë të ngjashme përgjatë gjithë sezonit veror, çka nënkupton pritshmëri për zhvlerësim të mëtejshëm të Euros kundrejt Lekut.

Forcimi i Lekut ndaj Euros, që është edhe monedha kryesore në këmbimet e tregtisë së jashtme të vendit, ka një efekt amortizues në përcjelljen e inflacionit të importuar në ekonominë shqiptare.