Përkrahën autorët e krimit, kryen veprime për të penguar zbulimin e së vërtetës dhe nuk kallëzuan krimin në organet e Policisë, vihen në pranga 5 shtetas, lidhur me ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme, në qytetin e Pogradecit.

Ndërkohë, vijon puna për kapjen e 2 autorëve të dyshuar të ngjarjes.

Advertisements

Sekuestrohen 3 automjete që janë përdorur nga autorët, në këtë ngjarje.

Në vijim të punës hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur pasditen e djeshme, në qytetin e Pogradecit, ku shtetasit F. B., 21 vjeç dhe G. M., 20 vjeç, banues në Pogradec, gjatë një konflikti, tentuan të vrisnin me armë zjarri tip pistoletë shtetasin J. M., 22 vjeç, banues në Pogradec, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, të shtetasve:

Firdeus Berberi, 32 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec; Kristian Kresto, 26 vjeç; Hekuran Gjonaj, 22 vjeç; Ledion Shkullaku 27 vjeç; Rudi Shaho, 28 vjeç, banues në Pogradec.

Advertisements

Nga provat e grumbulluara rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me automjete dhe me veprime aktive, dyshohet se kanë ndihmuar autorët e dyshuar të ngjarjes, që të largohen nga vendngjarja.

Në cilësinë e provës materiale u gjet dhe sekuestrua automjeti tip “Volkswagen Golf”, në përdorim të shtetasit F. B., i cili është përdorur në ngjarje, si edhe automjetet tip “Benz” dhe “BMW X5”, me të cilët janë ndihmuar shtetasit F. B. dhe G. M., për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Nga ana e Policisë po vijon puna intensive për kapjen e 2 autorëve të dyshuar të ngjarjes, shtetasve F. B. dhe G. M., të cilët janë shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.