14 telefonata mes dy liderëve. Kreu i pallatit Elize është politikani perëndimor që shefi i Kremlinit e njeh më mirë, sigurisht më shumë se Biden dhe Scholz.

“Putin përsëriti se është i vendosur për t’i arritur të gjithë objektivat e tij, me tratativa ose me luftë”, thotë një burim nga Pallati Elize pas telefonatës së radhës mes presidentit rus dhe atij francez. Pra, Ukraina ose pranon të gjitha kushtet e Moskës ose pushtimi vazhdon. Macron e telefonoi Putinin dje, të dielën 6 mars, në mesditë dhe dy liderët folën për pothuajse dy orë, deri në 13 e 45: ishte telefonata e katërmbëdhjetë që nga mesi i dhjetorit.

Advertisements

Sipas Pallatit Elize kjo është një mënyrë për të mbajtur të hapur një kanal, nëse jo për tratativa, të paktën për të komunikuar me Kremlinin. Një instrument për ta mbajtur Putin sa më të lidhur me realitetin. Ky raport i privilegjuar është intensifikuar pas vizitës në Moskë të Macron një muaj më parë, më 7 shkurt, pavarësisht ashpërsisë së bisedave dhe mosbesueshmërisë së treguar nga presidenti rus.

Ashpërsi sepse pas gjashtë orësh diskutimesh, dy liderët të ulur në tavolinën e famshme të gjatë, Putin në konferencën për shtyp i kujtoi Macronit dhe botës, për herë të parë, se Rusia ishte një fuqi bërthamore; i pabesueshëm sepse në natën mes 20 dhe 21 shkurtit, pas një telefonate tjetër, Putin i tha Macronit që pranonte në parim një samit të orës së fundit me presidentin amerikan Joe Biden. Ky njoftim ishte shansi i fundit i shpresës për të gjetur një zgjidhje diplomatike, por që zgjati pak orë.

Më 24 shkurt, vetëm tre ditë pas, nisi pushtimi rus. E megjithatë Macron vazhdon të telefonojë Putin (edhe presidentin ukrainas Zelensky, me një tjetër ton) edhe pse është rreshtuar hapur me Ukrainën që nga dita e parë e luftimeve, kur në televizion iu drejtua francezë pranë trengjyrëshit francez, flamurit europian dhe atij ukrainas.

Advertisements

Presidenti francez nuk ka iluzione, fjala e Putin është e diskredituar dhe këshilltari presidencial i Elizesë që është i pranishëm në këto biseda e ka cilësuar liderin rus “paranojak”, duke hedhur për herë të parë dyshimin në nivele të larta se Putin ka humbur arsyetimin. Një arsye më shumë për të mos e braktisur në grupin e terrorizuar të “yes man-ve” që e rrethojnë në Kremlin. “Në këto biseda, Putin tregohet i vendosur, por edhe Franca i përsërit që Perëndimi është gjithashtu i vendosur për ta ngritur sa më shumë çmimin që ai do paguajë për këyë luftë”, shpjegojnë burime nga Pallati Elize.

Telefonatat e Macron shërbejnë për ti bërë presion liderit rus dhe në të njëjtën kohë për të marrë sinjale të çmuara rreth humorit të tij, qëllimeve të tij dhe vizionit të operacioneve. Putin shqipton fjalë komplet të gënjeshtërta, si kur siguron që bombardimet shmangin shënjestrat civile- e bëri edhe dje, pikërisht kur raketat ruse po godisnin qendra të banuara, shkolla dhe spitale. Sipas Parisit kjo e bën atë bashkëbisedues jo të besueshëm, por për fat të keq të pashmangshëm.

Edhe pse Franca ka marrë një pozicion shumë të qartë në favor të Ukrainës dhe kundër Moskës, edhe pse Parisi po dërgon armë Zelensky-t – pa treguar sa dhe çfarë – dhe është një linjë të parë të sanksioneve, Putin pranon të flasë me Macron. Edhe pse ndoshta është lideri që njeh prej më shumë kohësh, sepse Biden qëndron larg dhe kancelari Scholz sapo ka ardhur në skenën ndërkombëtare, ose ndoshta sepse Putin e imagjinon se do të ketë të bëjë me Macron për një kohë akoma të gjatë, për pesë vite të tjera.

Me 10 dhe 24 prill në Francë zhvillohen zgjedhjet presidenciale që rrezikojnë të kthehen në një formalitet: Macron ka qenë gjithnjë i pari në sondazhe, por që kur Rusia pushtoi Ukrainën, votat në favor të tij janë rritur aq shumë sa janë bërë dyfishi i atyre të Marine Le Pen. Macron është në kuotën 30,5%, ndërsa kandidatët në luftë për vendin që do të ketë të drejtën e balotazhit janë shumë të distancuar: Marine Le Pen në kuotën 14,5%, Eric Zemmour në 13%, të ndjekur nga da Jean-Luc Mélenchon (12%) dhe Valérie Pécresse (11,5%).

Golistja Pécresse po rrëzohet pas një sërë gafash të pabesueshme dhe paraqitjesh të dobëta në të mitingje, tre të tjerët janë dënuar nga një lloj “efekti Putin”: Fushata e së djathtës ekstreme së Marine Le Pen në 2017 u financua nga një kredi ruse, Zemmour në të kaluarën e pati cilësuar veten si një “Putin francez” duke shpresuar që ta imitonte, ndërsa e majta radikale ishte rreshtuar me Moskën kundër Kievit deri në ditën kur nisi pushtimi.

Ndërsa kundërshtarët e tij tani janë të zënë më akrobaci të turpshme për t’u distancuar nga diktatori rus, Macron merr në telefon Putin për ti kujtuar arsyet e Ukrainës dhe Perëndimit dhe që Pallati Elize i komunikon vazhdimisht, sondazhet shpërblejnë Macron. Është një efekt dytësor, por sigurisht jo padëshiruar nga bashkëbiseduesi telefonik i Macron./ Nga Stefano Montefiori, Corriere della Sera