Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla vijon të hetohet për akuzën e “Fshehjes së pasurisë” nga ana e SPAK. Pas dënimit me 2 vite burg në dy Shkallët e Gjyqësorit, SPAK ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatë ku kërkon pushimin e hetimeve për Llallën, lidhur me fshehjen dhe mosdeklarimin e pasurisë.

Burimet nuk bëjnë me dije objektin e hetimit, pra nëse kemi të bëjmë me të njëjtat rrethana, por konfirmojnë se kërkesa për pushimin e tyre është bërë me argumentin se është gjykuar njëherë për të njëjtën vepër penale.

Advertisements

Apeli i Posaçëm e dënoi Llallën me burg për tre vepra penale, përfshirë fshehjen e pasurisë, ndaj dhe SPAK ka kërkuar pushimin e çështjes së hapur veçmas, sa kohë që ish-kryeprokurori është dënuar njëherë për këtë vepër penale.

Llalla aktualisht ndodhet në Itali, aty ku duket se po zhvillon një betejë të fundit për të shmangur vuajtjen e dënimit me burg dhënë nga Gjykata e Apelit. Ish-kryeprokurori po mbahet në liri me kusht në Itali, që do të thotë se nuk mund të lëvizë pa lejen e autoriteteve atje.

Akuzat ndaj Llallës u rrudhën dhe SPAK njoftoi të më 9 mars 2021 përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tri herë.

Advertisements

Më 20 maj 2021, Llalla u dënua në shkallë të parë me 2 vjet burg. Ai do të përfitojë nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar uljen e 1/3 së dënimit, duke mbetur si dënim përfundimtar 1 vit e 4 muaj burgim.