Pak ditë më parë u arrestua një çift nga Vlora, i cili tentoi të grabiste një argjendari në Shkodër. Arben dhe Anisa Hoxhaj u arrestuan nga policia pak minuta pas ngjarjes.

Mirëpo në emër të saj duket se ka një mori denoncimesh për vjedhje dhe mashtrim, por duket se Anisa e ka shtrirë aktivitetin e saj edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Advertisements

Një ditë më parë, Diart Hyseni, shqiptar i Kosovës me banim në Zvicër denoncoi për ABC një tjetër rast vjedhjeje të Anisa Hoxhajt. Diarti tha se pak kohë më parë Anisa kishte qenë në Zvicër dhe kishte punuar si dado në shtëpinë e tij, por pas katër ditësh i la fëmijët vetëm, mori florinjtë dhe mijëra franga duke u arratisur.

I riu tha se Anisa Hoxha i kishte vjedhur të gjitha sendet me vlerë që kishte gjetur në shtëpi dhe u zhduk duke marrë edhe 3 860 franga zvicerjane.

Në rrëfimin e tij Hyseni shprehet se Anisa Hoxhaj bllokoi çdo mundësi kontakti me të pas vjedhjes duke ia bërë të pamundur që të fliste për rimarrjen e sendeve me vlerë dhe të parave.

Advertisements

Por ai tentoi sërish, kësaj radhe përmes së motrës.

“Motra ime i shkruajti asaj kinse kërkonte një dado. Ajo i tha se më parë duhej t’i dërgonte 500 euro dhe ajo do të nisej menjëherë për në Zvicër. Pasi motra ime nuk ia nisi, ajo e bllokoi direkt”, thotë i riu. I pyetur se si ranë në kontakt me Anisa Hoxhajn, ai u shpreh se kishte bërë kërkesë në një agjenci për dado dhe agjencia i sugjeroi të renë nga Vlora.

Por, Hoxhaj duket se e ka bërë të njëjtën gjë edhe me familje të tjera shqiptarësh në Zvicër.

“Unë di që ajo ka mashtruar edhe katër familje të tjera në Zvicër duke i kërkuar një shumë parash paradhënie në mënyrë që më pas të nisej për në shtëpinë e tyre”, shprehet Hyseni.

Një ditë më parë, në rrjetet sociale qarkulloi denoncimi i një parukieri turk në Tiranë, i cili tha se Anisa kishte marrë një shërbim me vlerë 900 euro, të cilat nuk ia kishte dhënë.

Dy të rinjtë janë tashmë në qeli pasi gjykata e Shkodrës dha masën e sigurisë “arrest me burg”.