Gjykata e Kurbinit ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka kaluar për gjykim çështjen penale në ngarkim të një 59-vjeçareje, e cila goditi për vdekje me sqepar bashkëshortin e saj.

Ngjarja e rëndë u regjistrua në nëntor të vitit 2020 në Sanxhak të Kurbinit. Drane Deda, e cila vijon të jetë me masën e sigurisë “Arrest me burg”, akuzohet për “Vrasje për shkak të marrëdhënies familjare”. Mëngjesin e 6 nëntorit të vitit 2020, 59-vjeçarja nënë e 10 fëmijëve goditi me sqepar në kokë bashkëshortin e saj, Llesh Deda, 61 vjeç. Ky i fundit mori plagë serioze dhe gjeti vdekjen nje ditë më vonë në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Advertisements

Ne momentin e ngjarjes çifti i bashkëshorteve kanë qenë të vetëm në banesë. Sipas Policisë, 61-vjeçari ishte përdorues alkooli dhe çifti kishte pasur konflikte të vazhdueshme mes tyre, por nuk kishte pasur denoncime në Polici për dhunë në familje. Ata jetonin të vetëm në kushte të vështira ekonomike, në një banese thuajse të shkatërruar fare pranë autostradës Milot-Mamurras, në fshatin Sanxhak të Kurbinit. Ditën e ngjarjes, siç ka dëshmuar gruaja më pas në Polici, bashkëshorti i saj ishte në gjumë në momentin kur e qëlloi me sqepar.

“Më detyroi të bëja 10 fëmijë, më është nxirë jeta me të edhe pse kam vijuar të qëndroj kaq gjatë. Atë ditë nuk jemi grindur fare. Ai ishte në gjumë dhe unë shkova në magazinë, mora një sqepar dhe ashtu siç flinte, e kam qëlluar dy-tri herë, ku kam menduar se e kam vrarë pasi nuk ka lëvizur fare. Më pas kam shkuar në shtëpinë e kunatës dhe i kam treguar se çfarë kishte ndodhur”, ka rrëfyer para oficerëve Drane Deda.

Pas ngjarjes së rëndë në familjen e tyre, dy vajzat e çiftit Deda thanë se nëna e tyre ishte dhunuar gjithë jetën nga babai i tyre. Një prej vajzave deklaroi kohë më vonë në “News 24” se babai mbante gjithë kohës një sqepar te koka kur flinte, prej të cilit ironikisht gjeti edhe vdekjen. “Mami na tha ‘për kokë të 10 fëmijëve ai më ka kërcënuar me atë sqepar që unë e vrava. E thashë o unë, o ai’. Babi e mbante gjithmonë një sqepar poshtë krevatit të tij. Mami nuk kishte fjetur fare atë natë. Kanë që nga viti 2001 që nuk flinin më bashkë”, deklaronte vajza, Daniela Deda.

Advertisements