Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame dëgjohet në një audiopërgjim të sugjerojë se pronarëve të 100 mijë shtëpive informale u duhej mbajtur i fshehtë fakti se objektet e tyre ishte të palegalizueshme, pasi kalonin me palën tjetër. Lame pranon bisedën, por pretendon se është bërë në vitin 2017.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK tha të martën se do të verifikojë një audiopërgjim të publikuar nga gazetari Artan Hoxha, ku drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame dëgjohet të rekomandojë që të mos u kthehet përgjigje pronarëve të 100 mijë objekteve informale që nuk plotësojnë kushtet për legalizim, pasi mund të kalojnë me palën tjetër.

Advertisements

Në audiopërgjim, Lame përmend edhe një takim me kryeministrin, ndërsa lë të kuptohet se vetëm 60 mijë legalizime mund të bëhen, ndërsa pjesa tjetër prej 100 mijë objektesh janë të pabëshme.

“…të tjerat janë të pabëshme ose që nuk duhen bërë se janë kriminale, që do të thotë që në këtë moment na dalin rreth 100 mijë leje, 100 mijë objekte, të cilët ne me vetëdije do vazhdojmë t’i mbajmë, se janë njerëz, po i the që nuk të bëhet ia hodhe palës tjetër, u bënë mish për top për palën tjetër…,” dëgjohet të thotë Lame.

“…logjika është që ne do vazhdojmë ta mbajmë situatën varur për këtë pjesë, pra do vazhdojmë të bëjmë këtë 60 mijëshe dhe do vazhdojmë ta mbajmë situatën varur, sepse mund të ketë ndryshime nesër ligjore, sepse do ta rishohim dhe njëherë e kështu me rradhë,” sugjeron ai si përgjigje për qytetarët.

Advertisements

Nga audiopërgjimi nuk është e qartë se cilët janë personat konkretë të cilëve u drejtohet Lame, ku është realizuar takimi dhe data e regjistrimit. Megjithatë, audiopërgjimi është një tjetër shembull i përdorimit të administratës publike dhe i procesit të legalizimit për qëllime elektorale.

I pyetur nga BIRN nëse kishte nisur ndonjë hetim apo verifikim, kreu i SPAK, Arben Kraja dhe se nuk kishte ndonjë kallëzim për këtë audiopërgjim.

“Do e verifikojmë çfarë është,” tha ai për BIRN.

Drejtori i përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame nuk iu përgjigj një kërkese për koment të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.

Megjithatë, në një postim në faqen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Facebook, Lame pranoi se diskutimi është bërë, por e zhvendosi atë pas në tetor apo nëntor të vitit 2017. “Aty jemi pas zgjedhjeve të atij viti, pra nuk mblidhemi për të blerë vota, se votat i kishim marrë,” pretendoi Lame.

Si argument për pretendimin, Lame përmendi shifrat e legalizimeve, që sipas tij kanë ndryshuar.

“Them ‘janë të vërteta për atë kohë’, sepse ndërkaq kemi ecur përpara. Pra, aty them 150 mijë legalizime, sot kemi tejkaluar 210 mijë,” shtoi Lame në postim./reporter.al

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP