Ndikimet e pandemisë Corona në ekonomi po bëhen gjithnjë e më e qarta. Sidomos Italia është go ditur rëndë.

Në Itali kanë vdekur deri tani më shumë se 35,500 vetë të infektuar me koronavirusin Corona. Përveç kësaj ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës pas Gjermanisë dhe Francës pret një recesion të rëndë këtë vit për shkak të kufizimeve masive në luftën kundër pandemisë.

Siç njoftoi zyra kombëtare e statistikave vetëm në tremujorin e dytë midis prillit dhe qershorit, prodhimi i brendshëm bruto i Italisë (PBB) u tkurr me një shpejtësi rekord prej 12.8 përqind në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Deri tani supozohej se minusi do të ishte 12.4 përqind. Pandemia e goditi Italinë shumë më rëndë sesa ekonominë gjermane, e cila ra me 9.7 përqind.

Komisioni i BE supozon që ekonomia e Italisë të shënojë për vitin në tërësi një rënie prej 11.2 përqind. Parashikimi zyrtar i qeverisë në Romë është një minus prej tetë përqind. Por Ministri i Ekonomisë Roberto Gualtieri tashmë ka treguar se ky vlerësim duhet të korrigjohet dhe se rënia është më e madhe. Megjithatë Gualtieri theksoi kohët e fundit gjithashtu se tremujori i tretë aktual pritet të sjellë një rritje të fortë.

Ekonomia e Polonisë po tkurret

Edhe në Poloni ekonomia ka rënë për shkak të krizës së Coronës. Prodhimi i brendshëm bruto (PBB) u tkurr në tremujorin e dytë me 8.2 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo u njoftua nga agjencia e statistikave GUS në Varshavë. Në tremujorin e parë ekonomia polake u rrit me dy përqind krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019.

Spanja shpreson tek tremujori i tretë

Prodhimi i brendshëm bruto i Spanjës pësoi një rënie rekord prej 18.5 përqind në tremujorin e dytë krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Sipas qeverisë spanjolle ekonomia tani po bën hapa të mëdha drejt rimëkëmbjes. Në tremujorin e tretë vërehet një rritje e prodhimit të brendshëm bruto prej më shumë se dhjetë përqind, tha Ministrja e Ekonomisë, Nadia Calvino.

Një rikuperim i fortë duket veçanërisht në tregun e punës. Gjatë krizës së virusit Covid-19 papunësia e lartë në Spanjë u rrit në mënyrë masive. Midis prillit dhe qershorit humbën punën një milion vetë – më shumë se kurrë më parë në një tremujor. Sidomos sektori i turizmit, i cili është i rëndësishëm për vendin, u godit rëndë nga kriza.

DW

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP