Më 14 shtator, të gjithë nxënësit do të ulen në bankat e shkollës, nën kushte të rrepta sigurie, por kohëzgjatja e qëndrimit dhe oraret do t’i vendosë drejtoria në bazë të kapaciteteve pritëse që ka.

Këtë, nxënës e prindër, do ta marrin vesh dy javë para. Ministria e Arsimit ka gati skenarët e mësimdhënies, të ndryshëm për shkolla të ndryshme, që do t’i përmbledhë në një udhëzim për t’ua nisur për zbatim institucioneve arsimore.

Drejtoresha e Politikave Arsimore në MAS, Zamira Gjini ka zbuluar planin për orën mësimore në një intervistë për “News 24”. Sipas saj, shkollat me numër të ulët nxënësish do të vazhdojnë krejt normalisht me orë 45-minutëshe e pushim të gjatë, ato me numër mesatar nxënësish do të duhet të ndajnë mësimin me dy turne dhe në shkollat me numër tepër të lartë në raport me klasat, numri i turneve do të shkojë deri në katër. Në këto të fundit, në klasë do të realizohen vetëm lëndët kryesore e madje të shkurtuara, 30-minutëshe. Prioritet për paraditen do të kenë më të vegjlit, cikli i ulët.

SITUATA ME SHKOLLAT

Ne kemi disa javë që ndjekim hap pas hapi situatën lidhur me përhapjen e virusit Covid-19. Duke parë të gjithë përvojat dhe modelet e vendeve të tjera se si kanë vepruar, çfarë planesh kanë bërë dhe duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë për të parë konkretisht se çfarë do të bëjmë në shtator, çfarë do të ndodhë me nxënësit, por dhe me mësuesit në vitin e ri shkollor, një vit shkollor ndryshe nga vitet e tjera, që është një angazhim i plotë i të gjitha strukturave, jo vetëm i Ministrisë së Arsimit, por edhe i Shëndetësisë, pushtetit vendor, Policisë e të tjerë për të arritur një proces mësimor të sigurt në mjediset ku do të zhvillojnë mësimin.

PROTOKOLLI

Na është dashur të hartojmë disa skenarë se si do të vijojë mësimi në funksion të përhapjes së virusit. Bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë mundësuam këtë bashkëpunim me shumë drejtues të shkollave dhe të Zyrave Arsimore në të gjithë Shqipërinë, për të parë konkretisht se cilat janë masat dhe rregullat që mund të zbatohen në shkollë.

Në fakt, ne kemi një përvojë sepse provuam në maj kur shkuan maturantët në shkollë, që ndoqën konsultimet për Maturën Shtetërore dhe ai proces u zhvillua nën masa të rrepta të protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Me disa ndryshime të tjera kemi këtë protokoll të ri, ku përcakton saktë distancimin fizik që duhet të mbajnë nxënësit e mësuesit, qoftë kur lëvizin apo hyjnë në shkollë, kur qëndrojnë në klasë dhe me të gjitha procedurat e tjera që duhet të ndjekin për pajisjen me maska apo larjen e duarve, dezinfektimin e duarve dhe mjediseve, pastrimin e klasave. Është një protokoll i detajuar që tregon saktë për çdo aktor përgjegjës në strukturat e arsimit se çfarë duhet të bëjnë konkretisht, që të kemi një mjedis të sigurt për shkollat tona.

DISTANCA FIZIKE

Drejtoritë e shkollave në Zyrat Arsimore kanë bërë një draftplan të ndarjes së klasave, të orëve mësimore për të gjitha lëndët dhe klasat në dispozicion, në mënyrë të tillë që të realizohen masat e protokollit. Janë shumë veprime që do kryhen nga shkolla, mësues dhe drejtorë, por janë dhe disa detyra dhe përgjegjësi që do t’i kenë prindërit për fëmijët e tyre.

Që në 1 shtator do të nisë komunikimi me prindërit, ku do informohen se si do të zhvillohet mësimi në shkollat e tyre, çfarë masash duhet të marrin prindërit dhe çfarë shkolla për të siguruar një mësim në kushte të mira të shëndetit të fëmijëve. Ndaj, prindërit duhet të jenë në komunikim me drejtorët e shkollave menjëherë pas 1 shtatorit, për të parë konkretisht se si do të zhvillohet mësimi në shkollat e tyre.

MËSIMI ME TURNE

Në kuadër të zbatimit të protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë, për disa shkolla na duhet që të bëjmë një riorganizim të klasave dhe strukturave mësimore. Këto i kemi të shkruara në një dokument, një udhëzues, i cili është konsultuar me aktorë të tjerë dhe nesër do të kemi diskutimin e fundit të draftit të vendosur, meqë u vendos që shkollat të hapen. Në këtë program që kemi hartuar u është lënë lirshmëri drejtorëve të shkollave.

Sipas kushteve fizike të shkollës, do të vendosin ata se si do të bëhet mësimi, pasi ka shkolla në Shqipëri me numër të vogël nxënësish apo me mjedise të mëdha dhe atje mund të bëhet me orë të plota, pa turne. Ndërsa ka shkolla në qytete të mëdha, ku mësimi do zhvillohet edhe me turne dhe brenda një turni mund të ketë edhe nënturne.

Madje, në funksion të programit mësimor mund të ketë dhe orë mësimore që mund të zhvillohen online. Me rëndësi është që do të ketë një koordinim. Nxënësi patjetër do të shkojë në shkollë që të kontaktojë mësuesin dhe të marrë mësim, kur ka teste apo dorëzim projektesh të jetë në klasë. Kështu, të gjithë nxënësit do të jenë në shkollë. Vetëm për ndonjë lëndë, orë, ose modul në lëndët e arsimit të mesëm të lartë mund të ketë mësim online. Masat e protokollit do të zbatohen dhe këtë e theksoj fort, që drejtorët e shkollave janë angazhuar dhe po bëjnë organizimin jo vetëm të stafit mësimor, por dhe atë ndihmës.

Pak është numri i shkollave shumë të mëdha në vend. Për to do të ketë organizime me dy turne, pra paradite dhe pasdite, duke synuar që nxënësit të bëjnë pjesën e lëndëve kryesore. Cikli fillor të jetë paradite dhe cikli i mesëm i ulët të jetë pasdite. Për arsimin e mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë, lëndët kryesore të bëhen në turnin e parë, por të ketë organizime të orëve mësimore edhe në mjedise jashtë apo në ditët e fundjavës.

Në udhëzuesin që kemi hartuar bashkë me Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë është lënë mundësia që për orë të veçanta, për të gjitha lëndët mund të bëhet mësim edhe në mjedise të hapura. Por vetëm duke shmangur veprimtari që lidhen me kontaktin fizik të nxënësve me njëri-tjetrin. Ndërkohë kemi hartuar një plan mësimor në RTSH për të gjitha lëndët, nga klasa 1-XII dhe tashmë është në duart e mësuesve. Që nga 14 shtatori, në kanalin dedikuar shkollës do të ketë çdo ditë për të gjitha klasat orë mësimore sipas planit.

ORË TË SHKURTUARA

Në ato shkolla ku mundësohet hapësira dhe distancimi, mësimi do vazhdojë 45 minuta, por në pjesën më të madhe të shkollave të qyteteve, orët e mësimit do të jenë të shkurtuara deri në 30 minuta, në mënyrë të tillë që të realizohen programet mësimore dhe kontaktet e nxënësve me mësueset për të gjitha lëndët. Do të jenë orë të njëpasnjëshme, pra 30+30, deri në 60 minuta. Kjo është lënë nën kujdesin e shkollave kur të hartojnë oraret mësimore të shkollave të tyre, në mënyrë të tillë që të realizohet mësimdhënia e nxënësve në këto kushte të paparashikuara dhe të padëshiruara nga të gjithë.

SHKOLLAT PRIVATE

Edhe shkollat private janë të detyruara të zbatojnë protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë. Nëse ato në klasat e tyre nuk e kanë të mundur distancimin fizik, atëherë do t’i ndajnë klasat e tyre dhe do t’iu duhet ta bëjnë mësimin me turne. Kjo varet nga kushtet fizike, klasa dhe numri i nxënësve që ka çdo shkollë.

NUMRI I NXËNËSVE/KLASË

Ka shkolla, veçanërisht të ndërtuarat së fundmi, që disponojnë klasa të mëdha dhe mund të kenë deri në 17-18 nxënës, sikundër ka shkolla me klasa të vogla.

PUSHIM TË GJATË

Nuk do të ketë. Do t’u krijojmë mundësi që nga turni në turn të ketë pastrim dhe dezinfektim të mjediseve, por pushim të gjatë, përderisa orët do të jenë të shkurtuara, nuk do të ketë. Në shkollat e mëdha, jo. Ndërsa në shkollat ku do të zhvillohet mësimi normalisht do të ketë edhe pushim të gjatë. Institucionet përgjegjëse vendore të arsimit parauniversitar, siç janë drejtoritë rajonale, do të kontrollojnë zbatimin e protokollit.

PËR UNIVERSITETET

Edhe për universitetet do të ketë një protokoll. Ato fillojnë në tetor, varet si do të jetë situata e përhapjes së virusit dhe në varësi të saj do të vendosen masat.

MËSIM NË PANDEMI

Viti shkollor që u mbyll në fund të majit ishte ndryshe nga vitet e tjera, pasi kaluam nga mësimi në klasë në atë në distancë, një gjë e pamenduar. Mësuesit tanë u gjendën të papërgatitur në këto situata, por kanë treguar një profesionalizëm dhe angazhim maksimal që t’u gjenden prindërve dhe posaçërisht nxënësve të tyre, pa përtuar, orar e pa orar, duke u përpjekur të vetëtrajnohen përmes programeve e platformave që të jenë në kontakt me nxënësit. Ne kemi hartuar edhe dokumente, udhëzues se si do të vijohet me mësimin online, por dhe vlerësimin apo provimet kombëtare. Ndërkohë, nxënësit tanë kanë pasur mësim në RTSH, kur mësueset tona i realizuan orët mësimore në muajin mars në kushte mjaft të vështira, kur të gjithë njerëzit ishin në karantinë të mbyllur.

PËRSËRITJA E MËSIMEVE

Për ato pjesë të mësimit të zhvilluara online, në dy javët e para të shtatorit kemi planifikuar në planin e ri mësimor përsëritje të njohurive kryesore për çdo lëndë. Për shtresat që nuk kanë pasur mundësi do të marrin mësime plotësuese në disa shkolla në Shqipëri nëpërmjet një programi të posaçëm. Është diskutuar përsëritja e klasës, por prindërit nuk e kanë kërkuar një gjë të tillë.

SHKOLLA VATËR VIRUSI?!

Ky është një proces shumë i vështirë, delikat, për të cilin kemi javë e ditë që punojmë. Janë ulur të gjithë drejtuesit e shkollave e Zyrave Arsimore për të shqyrtuar kushtet apo sa mësues do të duhen më shumë nëse do të ndryshojë orari. Është një proces i vështirë, i ndërlikuar, por ne do të marrim gjithë angazhimin tonë që të zbatojmë rregullat për të pasur siguri. Kemi parë përvojat e vendeve të tjera. Në Gjermani ka ndodhur që janë infektuar dhe menjëherë është bërë karantinimi i mësuesve të asaj shkolle. Nuk e përjashtojmë dot. Ne do të bëjmë maksimumin dhe duhet që të angazhohemi të gjithë, nxënës, prindër, mësues që të zbatojmë rregullat, sepse shmangia prej tyre do të bëjë të mundur edhe përhapjen e virusit në ndonjë mjedis shkollor. Ndaj, iu bëj thirrje prindërve që të punojnë që tani me fëmijët e tyre, por dhe mësuesit kur të fillojë shkolla për ndërgjegjësimin dhe angazhimin e të gjithëve, për të realizuar një proces mësimor në kushte sa më të larta sigurie

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP