Medikamenti rus kundër Corona-s Avifavir, i cili bazohet në një medikament japonez kundër gripit, tashmë është shitur në 15 vende. Gjermania gjithashtu ka siguruar një rezervë. Sa efektive është substanca aktive?

“Kemi pasur mjaft sukses: ky medikament tani po shpërndahet në mbi 15 vende,” tha së fundi në televizionin rus Kirill Dmitriev, kryetari i Fondit Rus për Investime Direkte (RDIF). Ai tha se në fakt, ekzistojnë vetëm dy medikamente antivirale që shpërndahen në një numër të caktuar vendesh: Remdesiviri amerikan dhe Avifaviri rus.

“90 përqind të Remdesivirit i kanë blerë Shtetet e Bashkuara, kështu që ne nuk u habitëm që 15 shtete po blejnë medikamentin tonë,” tha Dmitriev. Ndër blerësit janë shtatë vende në Amerikën Latine dhe Afrikën e Jugut.

Autoritetet ruse miratuan në fund të majit një medikament të quajtur Favipiravir. Ai u zhvillua nga RDIF së bashku me firmën Khimrar nga qyteti rus i Khimki. Formula bazohet në medikamentin japonez kundër gripit, influencës Favipiravir me të njëjtin emër, i cili njihet me emrin tregtar Avigan.

Në Rusi, medikamenti japonez u “modifikua pak”, tha Dmitriev në një takim me Presidentin Vladimir Putin. Dhe në qershor, klinikave ruse iu dha medikamenti i prodhuar në Rusi kundër COVID-19 për herë të parë nën emrin tregtar Avifavir. Në medie ai quhet si “medikamenti shërues rus për virusin e Corona-s”.

Recetë nga Japonia

Favipiravir (Avigan) u miratua në Japoni si medikament kundër gripit në vitin 2014, por me kufizime. Lejohet përdorimi kundër viruseve të reja të gripit (Influenca), por edhe në rastet kur medikamentet e tjera nuk bëjnë më derman, d.m.th. si mjet i fundit.

Sipas raporteve të mediave perëndimore, procesi i licensimit ishte i vështirë dhe zgjati tre vjet – për shkak të shformimeve trupore tek të porsalindurit si efekt anësor. Prandaj, gratë shtatzëna dhe që ushqejnë me gji nuk lejohen të marrin medikamentin.

Favipiravir-i bllokon rritjen e një numri virusesh. Ndër të tjera, ai u përdor kundër virusit Ebola në Afrikë. Mjekët gjithashtu e quajnë atë versionin japonez të Remdesivir-it, medikamentit kundër Ebolas të regjistruar në SHBA, i cili gjithashtu ka rezultate në trajtimin e COVID-19.

Para virusit të Corona-s, Avigani nuk ishte një konkurrencë ndaj medikamenteve të tjera kundër gripit në Japoni. Medikamenti nuk shitej lirisht, por prodhohej vetëm me kërkesëq të qeverisë si rezervë në rast të një pandemie. Që nga shkurti i vitit 2020, ai është përdorur në klinikat japoneze për të trajtuar pacientët me virusin Corona. Sipas mediave japoneze, medikamenti funksionon mirë në rastet e një ecurie të butë të Corona-s. Sidoqoftë, në raste të rënda, thuhet se nuk ka efekt.

Gjermania blen rezerva

Japonia nuk është vendi i vetëm ku Avigani përdoret kundër Coronas. Rreth 40 vende, përfshirë Gjermaninë, e kanë përdorur atë në prova klinike që nga prilli, së bashku me dhjetëra medikamente të tjera premtuese kundër COVID-19.

Me kërkesë të DW, Ministria Federale gjermane e Shëndetësisë informoi se rreth 260.000 tableta Avigan për trajtimin e ecurive të rënda të COVID-19 në rast të një valë të re të Coronas janë blerë dhe shpërndarë në klinika të zgjedhura.

Favipiraviri prodhohet edhe në Kinë dhe është përdorur në prova klinike kundër virusit Corona. Virologu gjerman Christian Drosten nga Klinika Charite e Berlinit theksoi se pacientëve atje u ishte dhënë “një përqendrim shumë i madh i substancës”. Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi për efekte anësore, që kanë të bëjnë me një problem akut të veshkave. Përdorimi afatgjatë është pra i diskutueshëm.

Optimistë të matur

Favipiraviri është premtues kundër COVID-19 dhe i krahasueshëm me Remdesivir, thotë Helmut Hahn, kryetari i forumit gjermano-rus Koch-Meçnikov. “është gjë e mirë që medikamenti ekziston, por nuk ka asnjë provë zyrtare të efektivitetit të tij sipas kritereve tona,” theksoi ai.

Sipas Hahn, një medikament me një substancë kaq aktive ende nuk mund të përdoret plotësisht në Gjermani, sepse ende nuk ka të dhëna të gjera kërkimore. “Që Rusia po e përdor tashmë këtë medikament për të trajtuar një numër të madh pacientësh, është e kuptueshme,” tha Hahn.

Ai e lidh këtë me përmasat e mëdha të problemit Corona në Rusi dhe me masat që janë të nevojshme. Për më tepër, “kontrollet dhe rregulloret nuk janë aq të rrepta” në Rusi si në Gjermani. Kjo vlen si për studimet klinike ashtu edhe për miratimin e produkteve mjekësore. “Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se njëri është më i mirë se tjetri,” tha Hahn.

Gerd Glaeske nga Universiteti i Bremenit e konsideron Favipiravir-in “një mundësi të krahasueshme me Remdesivirin që të paktën mund ta lehtësojë rrjedhën e sëmundjes”. Përsa i përket modifikimit të ri rus, Glaeske këshillon t’i kushtohet vëmendje letrës shoqëruese të medikamentit.

Në licensimin e Favipiravirit (Avifavir) nga Ministria Ruse e Shëndetësisë flitet për një “preparat me veprimtari të drejtpërdrejtë antivirale”. Faqja në internet e Regjistrit Shtetëror të Medikamenteve përdor termin e përgjithshëm “agjent antiviral”, i cili lejohet të përdoret vetëm në spitale. Ai i nënshtrohet regjistrimit dhe dokumentimit. Për më tepër, duhet të paraqitet një “raport i një studimi klinik të kryer” në kuadër të trajtimit të COVID-19./DW

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP