Kryeministri shqiptar Edi Rama, ka regjistruar një video-mesazh, ku shpreh publikisht mbështetjen për Milo Gjukanoviçin dhe partinë e tij Social Demokrate, në zgjedhjet që do të mbahen në Malin e Zi pas pak ditësh, më 30 Gusht.

Në videon e publikuar nga media “in4s.net”, Rama flet edhe serbisht, kur përsërit sloganin e partisë së Gjukanoviç,”Me vendosmëri për Malin e Zi”.

Në videon e regjistruar në ndihmë të mikut të tij Gjukanoviç, Rama shkon deri aty sa të thotë “faleminderit i dashur Milo, që ekziston” dhe shprehet se “askush tjetër nuk mund të shpëtojë të ardhmen e Malit të Zi, se sa burri që e shpëtoi kaq shumë herë në të shkuarën dhe partia që punoi kaq shumë dhe arriti kaq shumë deri sot, në drejtimin e Malit të Zi“.

“Faleminderit Milo që ekziston, jo vetëm për Malin e Zi, por edhe për Shqipërinë, shqiptarët në Malin e Zi, në Kosovë dhe në rajon dhe gjithashtu për rajonin tonë në përgjithësi. Ajo çfarë nuk ke bërë ende për Malin e Zi, nuk mund ta gjykojë unë, por ja lë popullit tënd. Por, ajo që ka bërë Milo Gjukanoviç për Malin e Zi dhe për rajonin, duhet të bëjë krenarë, të gjithë qytetarët e Malit të Zi dhe të bëjë të gjithë prindërit në Malin e Zi, të ndihen të sigurtë për fëmijët dhe nipërit e tyre. Nuk e di çfarë do të ishte Mali i Zi sot, pa njeriun që e udhëhoqi këtë vend të bukur drejt pavarësisë dhe drejt Europës. Të gjithë e dimë, se sot, Mali i Zi nuk krahasohet me vendin e varfër dhe të dobët që ishte, kur nisi rrugëtimi i gjatë drejt një të ardhme më të mirë, nën drejtimin vizionar të Milos“, thotë Rama ndër të tjera.

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, nuk e ka shprehur këtë entuziazëm dhe mbështetje, për partitë shqiptare në Malin e Zi, të cilat garojnë me një listë të përbashkët, për të maksimalizuar votat. Koalicioni është nënshkruar mes Forcës së Re Demokratike, Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike Shqiptare, Unionit të Tuzit si dhe Lëvizjes Qytetare Perspektiva.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP