Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë iu kërkon pedagogëve të mos penalizojnë studentët me rezultate shumë më të ulëta se në provimet e mëparshme për shkak të situatës nga COVID-19 dhe mënyrës së re të zhvillimit të mësimit.

Në një e-mail dërguar pedagogëve, MASR kujton rekomandimet e UNESCO, OECD, UNICEF që të kihet një kujdes i shtuar në lidhje me vlerësimin e studentëve duke sugjeruar ‘shmangien aty ku është e mundur të vendosjes së rezultateve më të ulëta për shkak të situatës’. Një rekomandim ka të bëjë dhe me kohën e dhënies së notave.

“Përshëndetje të nderuar Profesorë,

Uroj të jeni të gjithë mirë! Meqenëse studentët e vitit të fundit në përgjithësi janë duke zhvilluar provimet e sezonit të Korrikut, po ju sjell në vëmendje kujdesin që duhet të jetë më i shtuar në lidhje me vlerësimet (notat) e provimeve përkatëse.

Në të gjitha rekomandimet e organizatave ndërkombëtare, si UNESCO, OECD, UNICEF, rekomandohet që të kihet një kujdes i shtuar në lidhje me vlerësimin e studentëve, duke pasur parasysh situatën dhe mënyrën e re të zhvillimit të mësimit.

Pavarësisht mënyrës së ndryshme të zhvillimit të mësimit, rezultatet e provimeve duhet të jenë të ngjashme me periudhat e mëparshme. Nuk do të ishte e drejtë që studentët të penalizoheshin me rezultate shumë më të ulëta se në provimet e njëjta në vitet e mëparshme, ose në krahasim me semestrat e mëparshëm në lëndë të tjera. Duke qenë se këta student janë të njëjtë si në semestrat e mëparshëm, duhet të shmangim aty ku është e mundur vendosjen e rezultateve më të ulëta për shkak të situatës.

Për shkak të kohës së shkurtër në mes dhënies së provimit dhe publikimit të rezultateve, procesi i vendosjes së notave mund të zgjatet disi, duke përfshirë dhe krahasime me vitet e mëparshme të së njëjtës lëndë, në mënyrë që shpërndarja e notave të jetë e ngjashme me periudhat e mëparshme”, thuhet në mesazhin për pedagogët.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP