Në Kosovë të shtunën u raportua vdekja e tetë personave nga pasojat e COVID-19-tës, numri më i lartë i të vdekurve në një ditë që nga shfaqja e pandemisë.

Ministria e Shëndetësisë tha se deri në orën 17 të ditës së sotme janë regjistruar 6 viktima nga 38 deri në 72 vjeç. Ndërsa në orët e vona të mbrëmjes, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi edhe dy raste të tjera.

Sipas autoriteteve të gjithë vuanin edhe nga sëmundje të tjera.

Rastet e ditës së sotme e çuan në 66 numrin e atyre që kanë humbur jetën nga pasojat e COVID-19-tës në Kosovë.

Të shtunën mbrëma Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi edhe 178 raste të reja të të prekurve nga kjo sëmundje, duke e çuar në 3 mijë e 356 numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara.

Nga rastet e konfirmuara të shtunën, 81 janë nga komuna e Prishtinës, 16 nga komuna e Fushë Kosovës, 10 nga komuna e Prizrenit, 10 nga komuna e Ferizajt, 9 nga komuna e Drenasit, 9 nga komuna e Gjilanit, 8 nga komuna e Vushtrrisë, 6 nga komuna e Lipjanit, 6 nga komuna e Skenderajt, 4 nga komuna e Mitrovicës, 4 nga komuna e Pejës, 4 nga komuna e Podujevës, 3 nga komuna e Shtimes, 2 nga komuna e Vitisë, 2 nga komuna e Kamenicës dhe me nga 1 rast komunat: Suharekë, Mamushë, Obiliq dhe Dragash.

Që nga 1 qershori deri më 4 korrik janë konfirmuar 2 mijë e 273 raste përkatësisht më shumë se dyfishi i rasteve të konfirmuara nga 13 marsi deri më 31 maj.

Që nga 1 qershori është dyfishuar edhe numri i të vdekurve nga pasojat e virusit.

Heqja e kufizimeve në fillim të muajit qershor u pasua me shtim të madh të numrit të të infektuarve ndërsa autoritetet po bëjnë thirrje për zbatimin e masave mbrojtëse siç është mbajtja e maskave dhe distancimi fizik për të parandaluar zgjerimin e infektimeve.

Sipas autoriteteve numri i përgjithshëm i të shëruarve deri të shtunën mbrëma është gjithsej 1 mijë e 874 raste, kurse raste aktive mbeten 1 mijë e 416.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP