Arsimi është një nga fushat më të goditura si pasojë e pandemisë. Të vetmit të cilët iu kthyen bankave të shkollës janë maturantët, të cilët do të duhet t’i përshtaten një strukture të re testi e bashkë me të edhe një mekanizmi të ri vlerësimi.

Nga 2 orë e 30 minuta, ai është kufizuar në vetëm dy orë. Pyetjet nuk do të jenë të përziera, por vetëm me alternativa, duke shmangur kështu jo vetëm kohëqëndrimin e maturantëve në shkolla, por edhe prekjen e fletëve nga dy duar vlerësuesish, siç ka ndodhur çdo vit.

Vlerësimi do të bëhet manualisht. Manuali për plotësimin e përgjigjeve që lehtëson punën e kompjuterit ka shkuar në çdo shkollë, për t’u aksesuar nga çdo maturant. Fletëpërgjigjja përmban tri tabela, me nga secila 20 pyetje.

Rezultati i çdo nxënësi del nga skanimi i saj, ndaj këshillohet plotësimi me shumë kujdes.

Ndryshe nga anonimiteti i ruajtur ndër vite me Maturën Shtetërore, ku çdo maturant identifikohej përmes barkodit personal, tashmë në çdo fletepërgjigje, secili identifikohet me të dhënat e tij: emër, atësi, mbiemër dhe firmë. Kjo formulë është përdorur edhe vitin e kaluar, kur nisi korrigjimi elektronik për pjesën e parë të testit, atë me pyetje me alternativa.

Këtë vit, e iniciuar nga pandemia, të 60 pyetjet do të jenë me alternativa. Maturantët do të testohen nga data 8 deri më 18 qershor në katër provime, tri me detyrim e një me zgjedhje.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP