Mes pemëve të larta dhe gjelbërimit që duket se ka pushtuar rrugët, ndodhet fshati Sinë, në Dibër. Vendi ku shumë historianë janë të bindur se ka lindur edhe heroi kombëtar Skëndërbeu. Por, pavarësisht pasurisë historike dhe bukurisë natyrore, ka edhe histori pikëlluese. I tillë është edhe rrëfimi i familjes Bardhi. E cila katër vite më parë humbi kryefamiljarin, në rrethana tragjike.

“Po ta shohësh prindin në një gjendje shumë kritike është diçka shumë e rëndë. Akomë më keq ishte pamundësia jonë për të shkuar dhe në spitale. Prej këtu ku jemi ne, spitali është më shumë se 40 minuta me makinë larg. 2 muaj pasi u operua nga apandesiti kaloi në infeksion dhe iu hap plaga.

Ai kishte nevojë për shumë mjekim dhe shumicën e rasteve ia bëja unë vetë mjekimet. Sepse mami ka qenë duke u kujdesur për vëllezërit e vegjël.Po të ishte babi, çdo gjë do të ishte ndryshe. Ai nuk mundi të shpëtojë as veten dhe as neve. Ne kemi mbetur këtu, thuajse të gjitha femra mes malit, pa asnjë të ardhur.”

“Unë nuk di ku të përplasem apo kujt t’i kërkoj ndihmë. Jemi nëntë persona dhe e vetmja e ardhur është një asistencë prej 80 mijë lekësh. Por, me kaq para nuk përballohet dot jetesa.”

Elibiona, gëzimi i parë i familjes kur ishte në moshë të vogël kaloi temperaturë të lartë, gjë që i solli probleme të rënda shëndetësore. Por, Fluturimja edhe sot, 22 vite më vonë ende nuk e di se çfarë problemi ka vajza. Pasi, nuk ka mundur kurrë ta vizitojë.

“Më theret zemra kur e shoh vajzën në këtë gjendje. Pasi kaloi temperaturë të lartë, nuk bëri dot as shkollë. Acarohet shumë shpejt, mërzitet, nuk i kupton dot gjëra, po ashtu e ka të vështirë të shprehet. Vizita nuk i kemi bërë asnjëherë, sepse nuk kemi pasur mundësi.”

Ëndrra e tetë fëmijëve është të shkollohen, por pamundësia ekonomike ia ka prerë këtë shpresë. Duke i lënë robër të varfërisë.

“Kur mbaruam shkollën, shoqet flisnin për degët që kishin fituar, kurse unë nuk flisja. Sepse e dija që unë nuk kisha mundësi dhe duhet të rrija në shtëpi. Dhashë edhe provimet e maturës dhe dola goxha mirë, po ashtu edhe mesataren e kisha mirë.

Tani më mbetet vetëm të luftoj për motrat e tjera dhe vëllezërit, të paktën ata të kenë një shkollë. Unë nuk e realizova dot ëndrrën time, por të paktën të përpiqem që ajo e tyre të plotësohet,” shprehet me trishtim Adriana, e cila është vetëm 18 vjeçe.

Ndërsa, Fluturimja veç dhimbjes kur sheh që vajzat nuk kanë mundësi të shkollohen, vuan edhe kushtetet e tmerrshme në të cilat janë duke u rritur fëmijët.

“Gjithmonë më thonë që nëse do të ishte babi gjallë, gjërat do të ishin shumë ndryshe. Nuk do të na binte pika në kokë. Nuk do të na shembet a digjet shtëpia. Instalimet që kemi janë shumë të vjetra dhe më shumë se dy herë ka marr flakë. Flemë përtokë, kur zgjohen fëmijët në mëngjes fillojnë duke qarë të gjithë.

I dhemb shpina se thuajse janë duke fjetur në dërrasa. Unë nuk di ç’të bëj. A të rehatoj fëmijët e të blej një dyshek, a t’i jap bukën e gojës?! Banjo po ashtu është në kushte skandaloze. Lahen fëmijët duke i rënë pikat e shiut në kokë sepse çatia është gjithë vryma. Rrimë duke vënë enë sa herë që bie shi.”

Të mjerë dhe të braktisur nga të gjithë, e ardhmja për 8 jetimët duket shumë e errët. Në çdo lutje i përgjërohen Zotit për një të nesërme ndryshe.

“Edhe pse jemi më këto kushte, përsëri kemi vendosur të agjërojmë. Është e vështirë, sepse ata që janë duke agjëruar e dinë që në fund të ditës do ta kenë tavolinën plot. Dhe do t’i zëvendësojnë ato kaloritë e humbura. Kurse ne nuk mund ta kemi një gatim të plotë. Por, përsëri unë kam shumë besim. Ndoshta Zoti e ka bërë për një qëllim këtë gjë, ndoshta nesër do të kemi një jetë tjetër.”

Këta fëmijë kanë nevojë më shumë se kurrë për ndihmën tonë. Të bëhemi bashkë t’u ndryshojmë jetën e t’i japim shpresë.

Bamirësia nuk të varfëron!

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP