“Kur iki në Tiranë për të shkuar te spitali dhe hipi në autobus, mbyll xhupin. Sepse më shohin njerëzit. Ka ca që më shohin me sy të keq dhe ca të tjerëve që i vjen keq për mua. Por, ata që shohin keq i shikoftë Zoti lartë.”

Kjo është jeta e Xhesilajdës. Prej 14-vitesh, ajo nuk ka marr frymë lirisht asnjë ditë, doktorët e kanë diagnostikuar me Laryngomalacia. Ndryshe nga fëmijët e tjerë që fëmijërinë e kalojnë duke luajtur, Xhesi është rritur nëpër spitale. Është rritur mes syve mëshirues dhe pse brenda vetes ulëret me dhimbje.

“Xhesi ka lindur me këtë gërhitje, por atëhere mjekët thoshin që do t’i kalojë me kohën. Sapo filloi dimri vajza u sëmurë shumë dhe merrte frymë vetëm me anë të tubit. Prapë doktorët thoshin që do t’i kalojë për dy vite.

Pas dy vitesh ajo nuk u përmirësua, madje atëherë edhe unë kuptova rëndësinë e tubit. Nëse nuk e ka atë, Xhesi e ka shumë të vështirë të marr frymë. Bllokohet totalisht.

Thonë që duhet ta ndërrosh më shpesh, çdo 6 muaj. Por, unë nuk kam mundësi, e ndërroj një herë në vit. Mirëpo, këtu në Shqipëri nuk kam gjetur dhe detyrohet burri të shkojë në Greqi e t’ia blejë atje. Tani në gusht ne bëjmë një vit që ia kemi marr dhe nëse nuk hapen rrugët do të jetë shumë e vështirë. Sepse tubi është konsumuar dhe është rreziku i këputjes.

Merr frymë me vështirësi, sidomos kur bllokohet nga sekrecionet. Me një aspirator që e kam marr para 13 vitesh e aspiroj. Por, edhe ai është thyer, nuk kam mundësi ta ndërroj.”

Të tmerruar që gëzimit të tyre të parë po i rrezikohet jeta, Nuredini dhe Alibie kanë trokitur në çdo derë spitali. Por, veç mungesës së përgjigjeve për shërim, atje janë përballur dhe me poshtërime. Të cilat Xhesin vazhdojnë e rëndojnë edhe sot.

“Kur shkova te një spital dhe duhet të bëja kontrollin me një tub që futej te hunda, isha dhe pa ngrënë, e unë volla aty te zyra. Dhe doktori më bërrtiti dhe më tha ‘kalama i keq më bëre zyrën pis,” rrëfen me zërin e mekur Xhesi.

“Doktorët më kanë dhënë shpresë vetëm për jashtë shtetit. Siç më thotë njëri nuk më thotë tjetri. Vetëm këtë dua të gej një mjek që ta di si është tamam. Nuk kam të ardhura për ta nxjerrë jashtë shtetit vajzën. Tani më ka hyrë frika më e madhe. Madje këto kohët e fundit, unë kam dhe një merak tjetër. Më duket se dhe shtylla kurrizore deformim. Sa një hall e shtohet një hall tjetër. Sikur qenkan mbledhur të gjitha hallet për Xhesin.”

Por, përsëri ajo është e fortë dhe çdo ditë e jeton më ëndrra dhe besim.

“Dua të shërohem si gjithë të tjerët. Nëse mbaroj gjimnazin, nuk do të shkoj në shkollën e lartë. Por, do të nis punë, që të mos rri kot. Dhe të plotësoj ëndrrën që prindërit e mi mos të punojnë.”

Pa të ardhura dhe të pamundur për të shpëtuar vajzën e tyre, gjendja e familjes Çili është shumë e vështirë. Shtëpia ku po qëndrojnë është e prindërve të Alibies, por edhe pse të lehtësuar që kanë një çati mbi kokë, kushtet e banesës janë duke vënë edhe më në rrezik shëndetin e Xhesit.

“Është shumë e vështirë se janë tre fëmijë të vegjël. Jeta sa vjen edhe bëhet më keq. Nuk ka punë, burri shkonte ndonjëherë me tre mujor në Greqi. Por, siç janë mbyllur kufinjtë nuk shkon dot më. Nuk kam as tokë dhe as shtëpi. Kushtet nuk janë fare të mira, se Xhesi duhet të rrijë në një ambient më të mirë, më të ngrohtë. Duhet të ketë më shumë pastërti. Unë dhe banjën e kam jashtë. Dimër, verë në atë banjë i laj fëmijët. Është shumë e vështirë pasi Xhesi nuk duhet të marr mikrobe apo të përballet me të ftohtin. Por, unë aq kam mundësi.”

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP