“Shqipëria e vërtetë punon, Shqipëria e vërtetë prodhon”. Kështu shkruan kryeministri Rama, teksa ka publikuar në ERTV historinë e suksesit të familjes Hasanaj në Hot të Malësisë së Madhe, e cila pas ngritjes së një ferme blegtorale, ka investuar në një punishte të prodhimit të djathrave, të cilat i tregton më së shumti në restorantet e vendit. Për këtë punishte, kujdeset djali i ri i familjes, Gjovalin Hasanaj i cili rrëfeu për ERTV se punishtja ishte ngritur falë mundit të babait të tij para disa vitesh me shumë pak kapacitet prodhimi, ndërkohë që sa vjen e rritet.

Vetë Gjovalini është specializuar në prodhimin e djathrave, duke ndjekur vazhdimisht kurse dhe trajnime jashtë vendit për të marrë dhe sjellë në Shqipëri eksperiencat më të mira të prodhimit të bulmetit. Në punishten e sipërmarrjes “Veleçik Milk” prodhohen djathrat me përbërës të ndryshëm si boronica, sherbela, erëzat pikante dhe lloje farërash.

Paralelisht, Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ka firmosur me këtë subjekt një marrëveshje për një tjetër financim në stallën e fermës së tyre blegtorale. Me fondet e programit IPARD, aty do të ndërtohet një sistem teknologjik i mjeljes që rrit sigurinë e prodhimit të qumështit. Gjatë vizitës në këtë fermë, drejtorja e AZHBR-së, Frida Krifca njoftoi se sapo është shpallur edhe Skema Kombëtare e Financimit të Bujqësisë dhe Blegtorisë nga Qeveria Shqiptare. Për këtë vit, fermerët dhe blegtorët mund të aplikojnë nga data 29 Maj deri në 19 Qershor për subvencione nga fondet e kësaj skeme.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP