Epidemiologu Ilir Alimehmeti ka bërë një përmbledhje përmes grafikëve mbi shfaqjen, zhvillimin dhe përfundimin e Covid 19 në vend.

Përmes grafikëve ai bën një përmbledhje mbi çfarë ka ndodhur në Shqipëri prej fillimit të epidemisë, ku thekson se kulmi spitalor i pandemisë ka qenë në 25 mars me shtrimin e 58 për qind të të prekurve, ku 3.2 për qind e tyre ishin të shtruar në shërbimin intensiv. Më tej ai ka specifikuar dhe masat e marra ku shton se cilat ishin të duhurat dhe cilat jo.

ANALIZA e Ilir Alimehmetit: “Puna e epidemiologjisë është e lidhur me pyetjet e papërgjigjura, por edhe me përgjigjet e papyetura!”

Cit. Patricia Buffler (Universiteti i Kalifornisë – Kongresi Amerikano-Verior i Epidemiologjisë Montreal 2011) Le të hedhim një sy mbi çfarë ka ndodhur në Shqipëri prej fillimit të epidemisë!

Grafiku 1 (Përqindja e Rasteve Aktive me COVID-19 të Shtruar në Spital dhe në Terapi Intensive):

Në këtë grafik paraqiten rastet e shtruara në spital (shtrime më të lehta) dhe ato të shtruara në terapi intensive. Ato janë shprehur si përqindje e rasteve aktive në Shqipëri, pra mos i ngatërroni me rastet e reja.

Paraqiten gjithashtu edhe pikat kryesore të vendimmarrjes qeveritare.

Gjetjet:

Piku spitalor i epidemisë (shprehur si përqindje e rasteve aktive të shtruara në spital) ka qenë më 25 Mars 2020 me (58.1% e rasteve aktive ishin të shtruara në spital, nga të cilat 3.2% në terapi intensive).

Periudha e pikut spitalor ka qenë periudha 13 Mars 2020 – 16 Prill 2020. (Përqindja spitalore më 13 Mars ishte 22.7%, ndërsa më 16 Prill ra në 20.0% dhe mbeti qëndrueshmërisht nën këtë shifër)

Masat fillestare:

Mbyllja e shkollave më 09 Mars 2020 nuk shfaq asnjë efekt zbutës. (Në kushtet e mosdijes, vendimi ishte i saktë edhe pse nuk pati asnjë efekt)

Mbyllja e plotë e Shqipërisë më 16 Mars 2020 u shoqërua me zbutje të kurbës epidemiologjike. (Vendim i saktë)

Deklarohet gjendja e fatkeqësisë natyrore më 24 Mars 2020 kur tashmë kurba epidemiologjike ishte në fazë të qëndrueshme (faza plateau). (Vendimi duket i pabazuar mbi të dhënat, megjithatë mbetet socialisht i justifikueshëm)

Më 29 Mars 2020 hapet spitali COVID-2. (Vendim i saktë)

Më 04 Prill 2020 deklarohet “mesi i epidemisë” nga Ministria e Shëndetësisë. (Deklaratë e saktë)

Më 21 Prill 2020 deklarohet shtyrja e fatkeqësisë natyrore deri më 23 Qershor 2020. (Vendim i evitueshëm dhe i pabazuar mbi të dhënat)

Më 17 Maj 2020 mbyllet spitali COVID-2. (Vendim i saktë)

Data e fundit e të dhënave (20 Maj 2020) tregon se në spital janë të shtruar 8.6% e rasteve aktive, nga të cilat 1.7% në terapi intensive dhe 6.9% në gjendje më të mirë.

Grafiku 2 (Ecuria e Rasteve me COVID-19 në Shqipëri):

Paraqiten në funksion të kohës rastet aktive, rastet e shtruara në spital më lehtë dhe në terapi intensive, si edhe rastet e reja.

Gjithashtu paraqiten edhe 3 vatrat e fasonerive (Krujë, Tiranë dhe Durrës).

Gjetjet:

Më 20 Prill 2020, ishim duke hyrë në rënie të rasteve aktive, piku i të cilave ishte arritur më 06 Prill 2020 me 240 raste aktive.

Por më 20 Prill 2020 u ndez vatra e fasonerisë së Krujës, e cila e çoi pikun e rasteve aktive në shifrën 288-289 në datat 26-28 Prill 2020. Kjo shkaktoi një pik të dytë.

Më 29 Prill 2020 ndizet vatra e fasonerisë së Tiranës, e cila fatmirësisht u izolua shpejt dhe nuk u paraqit me shtrim rastesh aktive një javë më pas.

Më 13 Maj 2020 ndizet vatra e fasonerisë së Durrësit, e cila shkaktoi një pik të tretë duke arritur 200 raste aktive më 17 Maj 2020, nga 161 raste aktive që ishin.

Me rëndësi është të vemë re se, në mbështetje të vëzhgimeve klinike në Itali, edhe në Shqipëri vërehet një zbutje e shfaqjes klinike të sëmundjes.

Kjo fazë e “zbutjes së virusit” fillon pas datës 25 Mars 2020 në pikun e epidemisë spitalore (58.1% e rasteve aktive) dhe vazhdon e qëndrueshme në vlerat 40-50% në periudhën 26 Mars 2020 deri më 02 Prill 2020, dhe në datën e fundit arrin vlerën 40%.

Koeficienti bie nën 30% më 08 Prill 2020 (25.9%).

Koeficienti bie nën 20% më 17 Prill 2020 (18.7%).

Koeficienti bie nën 10% më 17 Maj 2020 (8.5%).

KUJDES: Nevojiten prova kërkimore shkencore për ta vërtetuar hipotezën më lart, por ndryshimet e shfaqjes klinike janë të qarta.

Dr. Shk. Ilir Alimehmeti

Epidemiolog Klinik

Fakulteti i Mjekësisë, UMT

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP