Dje, më datë 20.04.2020, rreth orës 03.00, u nda nga jeta punonjësi i Policisë Inspektor Refik Axhami, efektiv i Komisariatit të Policisë Kukës, në DVP Kukës.

Lajmi bëhet i ditur nga Drejtoria Vendore e Policisë së Kukësit përmes një njoftimi në Facebook. Ndarja e parakohshme nga jeta e Refikut, tronditi gjithë familjen e tij, të afërmit, kolegët dhe bashkëqytetarët. Refiku la pas gruan dhe tre djemtë.

Pasditen e datës 18.04.2020, rreth orës 17.30, Inspektor Refik Axhami, vijonte detyrat institucionale në qytetin e Kukësit se bashku me kolegët e tij, ku një goditje e menjëhershme e hemoragjisë cerebrale e paralizoi menjëherë.

Kolegët e dërguan me shpejtësi në Spitalin Rajonal të Kukësit, ku mjekët i dhanë menjëherë ndihmën mjekësore dhe më pas e dërguan në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë, ku i është nënshtruar një mjekimi më të specializuar. Mirëpo fatkeqësisht goditja kishte qenë fatale dhe Refiku, nuk mundi që ta përballoj me sukses. Në orët e para të mëngjesit të datës 20.04.2020, Refiku ndërroi jetë.

Refik Axhami, lindi me 13 Shkurt 1966, në fshatin Shtiqen, Kukës. Më 10 Maj 1996, pranohet në strukturat e Policisë së Shtetit në detyrën trupe shërbimi dhe gatishmërie në Komisariatin e Policisë Kukës, ku shërbeu per gati 24 vjet.

Gjatë këtyre viteve, Refiku ka kryer detyra të ndryshme, pranë Komisariatit të Policisë Kukës, në strukturat e rendit publik, policisë kufitare, dhe nga viti 2015, ka kryer detyrën e ndihmës specialistit të zonës (SPZ), në Seksionin e Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Kukës.

Gjatë periudhës 24-vjeçare të shërbimit në strukturat e Policisë së Shtetit, Refiku është karakterizuar nga korrektësia në marrëdhëniet me kolegët dhe eprorët, profesionalizmi dhe devotshmëria në përmbushjen e të gjithë detyrave të ngarkuara.

Disa cilësi të veçanta që Refiku, manifestonte në marrëdhëniet me kolegët dhe qytetarët ishin:

Ndjenja e lartë e përgjegjësisë në kryerjen e detyrave, respekti për kolegët dhe qytetarët, thjeshtësia, qetësia, qendrimi parimor dhe profesionalizmi, si dhe vlerësimi që i bënte problemeve dhe shqetësimeve të qytetarëve të zonës policore, që kishte në përgjegjësinë e tij.

Ishin këto cilësi që e bënin Refikun, të ishte i respektuar nga kolegët dhe eprorët, por nepërmjet këtyre cilësive kishte arritur të fitonte besimin e qytetarëve.

Inspektor Refik Axhami, ishte një punonjës policie me integritet moral dhe profesional.

Gjatë kryerjes së detyrave ligjore, por edhe jashtë saj, Refiku vepronte i udhëhequr nga vetëkontrolli dhe toleranca, duke trajtuar qytetarët dhe kolegët me respekt dhe mirësjellje. Ai ushtronte përgjegjësitë institicionale vetëm në përputhje me ligjin dhe procedurat standarde, si dhe në respekt të plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Me ndarjen para kohe nga jeta të Refikut, familja humbi një bashkëshortë dhe baba shembullor, Kukësi humbi një qytetar të denjë që i dha kaq shumë qytetit të tij, në fushën e rendit publik dhe sigurisë së jetës së qytetarëve, ndërsa ne kolegëve të tij, do të na mungojë një koleg model, në mënyrën e sjelljes dhe me përkushtimin dhe profesionalizmin që manifestonte në kryerjen e detyrave ligjore që i ngarkoheshin.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP