Mjeku shqiptar në SHBA, ish-drejtori i Virologjisë në Boston, Rajmond Ikonomi, në një lidhje të drejtpërdrejtë me “News 24” deklaroi se Covid-19 është një virus tepër dinak. Ikonomi tha se në SHBA situata paraqitet e rëndë, por beson se në Amerikë e në Shqipëri, gjendja do të përmirësohet.

“Në SHBA situata është e rëndë. Këtu numri i të infektuarve ka shkuar shumë. Ky ishte një virus i befasishëm dhe kishte përhapje shumë të madhe. Në SHBA, cdo shtet po sheh rastet e veta dhe i raporton. Është një virus shumë dinak, një armik i padukshëm. Situata jo vetëm në SHBA, por edhe në Shqipëri duhet pasur kujdes, pavarësisht se ka më pak raste, kudo është rreziku”, tha Ikonomi.

Rajmond Ikonomi theksoi se bota u shkund nga ky virus, ndërsa vlerësoi se pasojat e tij mund të zgjasin edhe gjatë verës.

“Pasojat e virusit do të zgjasin edhe gjatë verës. Akoma nuk mund të thuhet me saktësi se temperatura e dëmton këtë virus. Covid-19 përhapet me një shpejtësi të frikshme. Ështe e vështirë t’i japësh një formulë të saktë menaxhimi, por bazuar në metodën kryesore, duhet që të kapet vatra e parë sa më parë. Nëse vatra do të bllokohet e do testohet pozitive, të largohet pozitivi dhe gjejmë kontaktet, e vëmë nën kontroll koronavirusin.

Një shembull pozitiv dhanë vendet aziatike, ku janë bërë testime, madje edhe ritestime. U izoluan këta njerëz, u izoluan edhe kontaktet dhe situata u menaxhua shumë mirë. E gjithë bota u shkund nga infeksioni. E menjëherë u morën masa”, u shpreh Ikonomi.

Ai shtoi se nuk ka trimëri me virusin, kurse vlerësoi se duhen testuar ata persona që paraqesin simptoma.

“Testimi është i rëndësishëm, por varet nga gjendja, si është situata në një rajon të caktuar. Testi bëhet për të larguar njerëzit që janë pozitivë nga qarkullimi. Personat me simptoma duhet të testohen. Testimi masiv i popullatës nuk ka vlerë të madhe praktike.

Sa i përket asaj që ka bërë Trump për të mbyllur donacionet për OBSH, nuk mund të hyj dot në politikë, por di të them se Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rëndësi tepër të madhe. Izolimi është e vetmja strategji që mund ta largojë Covid-19. Trimëri me virusin nuk bëhet. Covid-19 luftohet me ndërgjegje”, tha mjeku shqiptar.

Ikonomi deklaroi më tej se ky virus ka habitur botën, duke vënë në dukje se vaksina mund të dalë në vjeshtë.

“Ky virus del për herë të parë. Jam optimist se dicka do ecë. Edhe ai që ka kaluar infeksionin, mund të infektohet prapë. Dëshira e mirë është që vaksina të dalë sa më parë. Deri tani janë deri 60 vaksina kandidate dhe po bëhen prova. Ka sinjale të mira që një vaksinë të dalë. Këtu në Amerikë mund të dalë vaksina në vjeshtë. Përgatitja e vaksinës shkon 3 deri 6 muaj. Fillimisht provohet te kafshët, e shihet nëse vaksina nuk është e rrezikshme, provohet patjetër edhe tek njerëzit”, tha mjeku Ikonomi.

BW

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP