Kur mbyllën me kyç derën e banesës se tyre të rrënuar në fshatin Derje të Shengjergjit, gjysh Qemali dhe nënë Ishja nuk e dinin aspak se cfarë surprize i priste në Tiranë konkretisht në zonën e njohur si “Fresku”. Gjatë gjithë rrugës duke zbritur malin e Dajtit mendonin se do të takonin një person ashtu siç i njoftoi me parë gazetari i News 24 Osman Stafa.

Elvisi tha se gjithë shqiptaria tashmë i njeh kush janë gjyshi Qemali dhe gjyshe Ishja. “Ata janë lodhur pak nga rruga, unë them të nisemi sa më shpejt dhe të kryejmë misionin që kemi nisur. Ju keni një vit pa ardhur në Tiranë, jeta nuk u ka dhënë shumë por mos u mërzit, sepse pas vështirësisë vjen lehtësimi. Shqiptarët bamirësinë dhe zemrën e madhe dhe keqardhjen e kanë në shpirt. Nënë Ishe ti mos u mërzit, urojmë që edhe për ju dielli të lindi në mëngjes ashtu siç duhet dhe të kemi mundësi të jetoni në Tiranë, të jeni pranë më spitalet dhe të jetoni tani e tutje më mirë. Qemal atje ku banonit ju ishte vështirë. Me thënë të drejtën si në mesjetë na u duk. Të jetosh sot pa asnjë kusht, të jetosh sot pa drita, dy gjyshër fillikat, pa një përkrahje, pa një ndihmë, pa një dorë të ngrohtë, kjo nuk shkon. Shqiptaria ka nevojë për njerëz të mirë.

Elvisi, Sidriti, gjyshërit nga Shëngjergji dhe gazetari Osman Stafa mbërritën para derës së një apartamenti në zonën e “Freskut” në Tiranë. “Osmani u bë si fëmija juaj tani, ka thënë se do u qëndrojë pranë, kështu që edhe dhuratën i takon këtij djali që tua japi dhe të na gëzojë të gjithëve duke ua dhuruar”,-u tha Elvisi duke i dorëzuar çelësin Osmanit. “Për mua është shumë emocion që jam këtu. Jemi bërë bashkë gjithë shqiptarët që ju t’iu nxjerrim nga ajo zonë që ishit, nga ajo shtëpi që u rrezikohej jeta. Donim që ju të jetonit një pleqëri të mbarë. Nëna hape ti derën”,-tha gazetari i News 24 Osman Stafa.

“Nënë Ishe, Qemal, kjo është shtëpia juaj!”,-u tha gjyshërve Elvisi. “Faleminderit shumë për këtë nder që na keni bërë, nuk di si t’ua shpërblej. Kam vuajtur, u bëra 77 vjeç në një kasolle. Nuk e mendonim kurrë se do vinim ne këtu, se do të kishim një shtëpi si kjo”,-u shpreh i emocionuar gjysh Qemali kur u fut brenda apartamentin të tyre të dhuruar me donacionet e mbledhura të shqiptarëve. Uratat dhe falenderimet e përzemërta nuk kishin si të mungonin edhe nga gjyshe Ishja. “Shumë faleminderit gjithë shqiptarëve, ju rrofshi e qofshi me gjithë Osmanin. Zoti ua bëftë dritë shqiptarëve që na ndihmuan”, -tha e moshuara.

“Ju të jetoni të lumtur këtu, spitalin e keni nga shtëpia e re vetëm 3 ose 4 minuta larg”, -u tha Elvisi. “Gjyshi unë shtëpinë time e kam vetëm 100 metra larg, bashkë jemi komshi, për nevojat tuaja për pazare ju mund t’i bini telefonit tim. Unë kam ndërgjegjen e qetë tani që dy gjyshërit tani kanë një banesë”,- u tha Osmani, i cili është fqinji i tyre tani e tutje në zonën e Freskut. “Gjshërit do të regjistrohen tek fondacioni “Firdeus” për të marrë ndihmat në ushqime që ne kemi për ta parë si familjet e tjera. Nuk është problem, kjo e vështirë ishte shtëpia. Do u vendoset edhe pensioni. Tani ke dhe televizor do na shikoni në emision të premtën, se më përpara nuk na shikonit dot. Tani duam bashkë me ju të shikojmë ambientet e tjera të apartamentit”,-tha Elvisi.

BalkanWeb/

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP