Mjeku Pëllumb Pipero ka diskutuar në lidhje me lehtësimin e masave të paralajmëruara nga kryeministri Rama pas 4 majit, duke thënë se ecuria e deritanishme e epidemisë e lejon lirimin e masave shtrënguese. Në një lidhje skype në “Repolitix”, Pipero tha se ritmi i transmetimit të virusit ka qenë i ulët në vendin tonë, ndoshta nën 2 dhe kurba e qëndrueshme dhe me ulje graduale mundëson lehtësimin e masave edhe hapjen e bizneseve por gjithmonë duke qenë vigjilentë që të mos lejohet krijimi i vatrave të reja të infeksionit. Megjithatë mjeku Pipero tha se për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, kufizimi i daljeve duhet të jetë më i zgjatur në kohë.

“Pas çdo rasti të konfirmuar përfshihen 10 apo 15 raste të tjera të pakonfirmuara ku pjesa më e madhe as nuk ka simptoma. Ritmi i transmetimit të virusit ka qenë i ulët në vendin tonë, ndoshta nën 2 dhe për këtë kurba ka qenë e zbutur dhe pas prillit do të ketë zbritje të qëndrueshme. Kryeministri që nga fillimi i epidemisë ka folur me gjuhën e ekspertëve të shëndetësisë dhe jo të politikanit, unë kam thënë që mesi i majit do të na gjejë më të lirë. Jam përkrahës i lehtësimit gradual në proporcion me epideminë dhe kjo ecuri e epidemisë deri tani e lejon kryeministrin të marrë këto masa. Besoj se gjysma e majit do të na gjeje edhe më të lehtësuar nga sa tha kryeministri. Nuk duhet ta humbim në asnjë moment vigjilencën dhe për të gjurmuar çdo rast të dyshimtë për të parandaluar krijimin e vatrave të reja. Është ende e nevojshme që të moshuarit dhe të sëmurët kronikë të jenë më të kufizuar përtej 4 majit me të tjerët dhe kufizimi i tyre të jetë dhe për një kohë pak më të gjatë e kufizuar dhe të jemi të kujdesshëm. Do të nisim fazën e dytë të epidemisë që është pak më e gjatë dhe pak më e zbutur. Pas majit rastet do të jenë sporadike dhe do lejojë lehtësimin e masave”, tha Pipero

Në lidhje me rastet në Kurbin dhe Krujë, Pipero tha se kjo ka ndodhur si pasojë e mosrespektimit të masave në fasoneritë. Ai tha se dy persona nga një familje ishin të prekur me COVID-19 dhe të dy punonin në fasoneri të ndryshme që shkaktoi dhe krijimin e vatrës së re, por që dhe ajo është drejt izolimit dhe në ditët në vijim sipas Piperos do të ketë reduktim të numrit të të infektuarve.

“Është një trend i qëndrueshme i epidemisë jo vetëm Tiranës por gjithë Shqipërisë, përjashtuar Krujën dhe Kurbinit. Ecuria e epidemisë është e qetë , në ulje graduale por domethënëse. Në Krujë dhe Kurbin u takon epidemiologëve që të studiojnë rastet, por do të thoja që për mua është një mosrespektim masash në ndërmarrjet e fasonerive edhe pse mund të punonin me një numër të kufizuar personash. Nuk është ruajtur distanca, nuk janë ajrosur mjediset e brendshme, Kanë qenë dy persona të së njëjtës familje , që punonin në dy ndërmarrje të ndryshëm që kanë përhapur virusin. Është një vatër që është nën masa të rrepta për ta kufizuar dhe në ditët në vazhdim edhe këtu rastet do të vijnë duke u ulur.”, tha Pipero

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP