Një procedurë e dyshimtë tenderi është hapur ditët e fundit nga Agjencia e Shërbimeve Funerale, pasi kërkohet blerja e 136 arkivolëve, për viktimat e Covid-19. Nga kjo sasi, autoriteti kontraktor kërkon që arkivolët të jenë të përmasave të ndryshme.

Konkretisht, kërkohet të blihen 56 arkivolë të vegjël, për fëmijë deri në 1 vjeç; 75 copë arkivolë të mëdhenj të madhësive standarte dhe 5 copë arkivolë më të mëdhenj se standarti. Deri mesditën e kësaj të mërkure, Shqipëria numëron 27 persona që kanë humbur jetën nga Covid-19.

Por, shifrat e parashikuara në tender dhe sidomos llojet e arkivolëve, ngrenë dyshime të forta, jo për mënyrën e realizimit të këtij prokurimi, por për specifikimet. Kjo pasi, deri tani nuk kemi asnjë fëmijë të ketë humbur jetën nga Covid-19, por nga ana tjetër janë porositur 56 arkivolë për të mitur deri në 1 vjeç, nga Agjencia e Funeraleve, një ndërmarrje shtetërore në varësi të Bashkisë së Tiranës.

Sipas dokumentacionit që gjendet në Agjencinë e Prokurimeve Publike, këto blerje janë për viktimat që humbin jetën nga Covid-19. Duke qënë se është vendosur me ligj që viktimat e Covid-19, duhet të varrosen nga Agjencia e Funeraleve, atëherë ky institucion ka zhvilluar këtë tender.

Agjencia e Shërbimeve Funerale nuk ka vendosur fond limit për këtë tender. Megjithatë, mungesa e shifrës financiare është problemi më i vogël në këtë “tender horror dhe të dyshimtë”.

Shifrat e arkivolëve që ajo ka porositur, nuk lidhen aspak me situatën aktuale të pasojave të Covid-19 jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Në bazë të të dhënave zyrtare, Tirana, territor në të cilën vepron Agjencia e Shërbimeve Funerale që ka shpallur tenderin, numëron, në total që nga dita e parë, 256 persona të prekur, nga të cilët 15 kanë humbur jetën, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë shëruar.

Nuk dihet nëse ky është një lapsus i Agjencisë Funerale, por megjithatë tenderi ka shkaktuar debat të madh në opinionin publik.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP