Nga testimet e kryera nga Ministria e Shëndetësisë rezulton se janë infektuar edhe 8 mjekë e infermierë.

Raportohet se janë testuar 89 personel shëndetësor në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe prej tyre kanë rezultuar 8 mjekë dhe infermierë pozitivë. Duhet thënë që të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëkarantinuar.

Përgjegjësja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino njoftoi edhe vendeimet e marra.

“Spitali “Shefqet Ndroqi” do të kthehet në spital COVID, sipas skenarëve, për të lehtësuar edhe fluksin në spitalin Infetiv dhe Ministria e Shëndetësisë po merr masa për zëvendësimin e personelit me mbi 2200 vullnetarët që i janë përgjigjur thirrjes për të ndihmuar stafet mjekësore në terren. Dua të bëj një apel për mjekët të zbatojnë me kujdes masat mbrojtëse për parandalimin e infeksionit.

Në lidhje me testimet, dua të them që të gjitha rastet e testuara kanë qenë raste të dyshuara. Ne po përpiqemi të ndërpresim zinxhirin e transmetimit të infeksionit. Këtu po përqëndrohet puna e të gjithë shërbimit në këto momente.
Ju lutemi mos shkoni menjëherë në spital!

Telefononi 127 kur keni shenja të sëmundjes!
Pavarësisht masave të marra, e rëndësishme është izolimi social, masat vetjake, që të frenojmë sa më shumë përhapjen e infeksionit. Mënyra më e mirë për të ndihmuar personelin shëndetësor dhe për të përballuar këtë situatë është që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi”, deklaroi Silva Bino./GSH

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP