Kreu i opozitës Lulzim Basha ka takuar mëngjesin e sotëm delegacionin e Komisionit të Venecias, që ka mbërritur në vendin tonë me mision faktmbledhës, për të dhënë më pas një opinion për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Basha tha se në vend nuk funksionojnë institucionet, dhe ky është një nga shqetësimet më të mëdha që i është shprehur dhe përfaqësuesve të Venecias.

Sipas kryedemokratit takimi me Venecian ka qenë shumë i frytshëm, pasi atyre iu bë i njohur kolapsi total në të cilën ndodhet sot vendi.

‘’Takimi me ekspertët ishte shumë i frytshëm. Shqipëria është në krizë të thellë kushtetuese. Shenjat janë lëvizjet e javëve të fundit që nuk pret as Komisionin e Venecias por çon për miratim akte të tjera që kapin kushtetetuën.

Gjithçka në këtë vend kontrollohet nga një grusht njerëzish. Rruga e daljes është e qartë. Të kthehet legjitimiteti i institucioneve. Kjo është zgjedhja sot para shqiptarëve”, tha Basha, ndërkohë që u pyet se cili do të jetë reagimi i mëtejshëm i opozitës, sa kohë që Rama është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

‘’Ne sakrifikuam gjithçka për ti hapur rrugën një zgjidhjeje politike për shqiptarët. Nëse pala tjetër do të vazhdojë që të përdor krimin e organizuar, atëherë opozita së bashku me qytetarët do të marrin vendimin e duhur për t’u përballur me këtë grusht njerëzish që kemi përballë”, u shpreh Basha në fjalën e tij.

Basha shoqërohej në takimin me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias dhe nga nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili, si dhe Oerd Bylykbashki.

Gjatë ditës së djeshme përfaqësuesit e Komisionit të Venecias patën takime dhe me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi, si dhe me presidentin Meta.

Ky i fundit i tha anëtarëve të delegacionit, se ngërçin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese mund ta zgjidhin dhe dy nxënës të klasave të para.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP