Stela është vetëm 9 vjeçe, por çdo ditë për atë ka qenë një sfidë. Mes kushteve të vështira ekonomike, gjendjes së mjerueshme në të cilën ndodhej shtëpia, vogëlushja vuan edhe nga astma kronike.

E detyruar të qëndrojë veç me pompë për të marr frymë lirisht, lagështia dhe i ftohti që hynte nga të katërta anët e shtëpisë; e rëndonte më shumë shëndetin e saj.

Familja Dervishi jetonte në fshatin Lekaj në Lushnje, në mëshirë të fatit. Iliri, kryefamiljari mundohet të punojë, por një problem në gju ia vështirëson edhe më tepër gjendjen.

Ndërsa, Tefta, me plagën e një nëne, çdo ditë qante nën zë si t’i siguronin një të ardhme ndryshe dy fëmijëve, Stelës dhe Qaniut. “E shihja kur iu thante buza, ia vija pompën gocës. Por, ajo ia përthan më shumë. Nxihet, bëhet shumë keq.

E çonim te spitali e i bënin gjilpëra. 80 mijë lekë ilaçet dhe gjilpërat. Edhe nuk e ka njëherë, por e ka të përhershme. Pa mbaruar një antibiotik do të fillonte tjetri e me gjilpëra gjithmonë. Nuk shpresoj të shërohet me këtë ambient që jemi.

Sepse ajo do ajër të pastër, nuk do ftohtësinë, që hyn gjithandej. Unë nuk punoj dot, mua më merret fryma, edhe sikur pak të eci. Se e kam pasur shumë më të fryrë këtë gjëndrën, edhe më bllokon frymëmarrjen. Rrezikoj jetën po nuk e operova, helmohet gjaku. Bashkëshorti është sëmurë nga të gjitha. Nuk lëviz dot nga mesi, hernie diskale,” rrëfen e dëshpëruar Tefta. Por, tashmë gjithçka ka ndryshuar rrënjësisht për ta.

Fondacioni “Fundjavë Ndryshe” me ndihmën e një familje e cila jeton në Amerikë, surprizuan familjen Dervishi. Duke iu ndërtuar një shtëpi të re, e cila do të krijojë kushte më të mira për shëndetin e Stelës. Ndërsa, drejtuesi i “Fundjavë Ndryshe, Arbër Hajdari thekson se ndihma e tyre nuk do të përfundojë me kaq. “Shumë i gëzuar sot që bëmë të mundur shtëpinë e re për familjen Dervishi.

Për të mos mjaftuar hallet e mëdha, sëmundjet e fëmijëve, tërmeti i shkatërroj banesën . Një shtëpi e re për to, përkujdesje shëndetësore për Stelën e vogël, një jetë e re, pranë shkollës, pranë jetës.” Fondacioni do të kujdeset për gjithë mjekimin për vogëlushen, si edhe do të sigurohet që të gjejë një punë për Ilirin.

Mes lotëve të gëzimit për familjen Dervishi nis një jetë e re. Një jetë e siguruar nga ndihma e gjithë kontribuesve. Të cilët dhe njëherë arritën të ndryshojnë dhe dhurojnë një të ardhme më të mirë një familje. “Ju falënderoj shumë, nuk kam fjalë, jam shumë e emocionuar. Ende nuk arrij ta besoj dot, po më duket si një ëndërr.

Do t’iu falënderoj sa herë që të hyj dhe të dal nga shtëpia,” shprehet Tefta.
FUNDJAVË NDRYSHE
Ta gëzoni shtëpinë e re familja Dervishi.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP