Gjermania krahëhapur i pret punëtorët nga Maqedonia e Veriut të cilët nga muaji mars do kenë kushte lehtësuese për marrjen e lejes për punë.

Zëvendës ambasadori gjerman në vend, Oto Graf nuk e fsheh kënaqësinë se ekonomia më e fuqishme evropiane do të fitojë fuqi të re punëtore. Megjithatë, ambasadori kurbetçinjve të ri që nuk janë të kualifikuar sa duhet i porositi se jetesa në Gjermani është e shtrenjtë për ato rroga, kështu më mirë për ta do ishte të gjejnë ndonjë punë në investimet e huaja që ka kapital gjerman këtu në Maqedoni.

“Kompanitë gjermane janë të lumtura që fitojnë fuqi të re punëtore, ndërsa nga ana tjetër, investitorët që janë këtu janë të lumtura që këtu megjithatë do mbeten një numër i caktuar i njerëzve. Ka fushë ku ka gara, nuk është e rregulluar mirë, por qëllimi është të punohet në këto probleme dhe të bëhen vendet e punës në vend më tërh eqëse dhe të rinjtë t’i mbajnë këtu”-tha për Alsat, Oto Graf, zëvendës ambasador i Gjermanisë në vend.

Biznesmenët që rregullisht ankohen për mungesën e kuadrove tashmë janë të shqetësuar se gjërat mund të përkeqësohen edhe më shumë. Apelojnë të mbisundojë vetëdija te prindërit dhe fëmijët e tyre të mos i dërgojnë në fakultet, por të mësojnë ndonjë zanat dhe do kenë ardhmëri të sigurt në vend. Nga Oda Ekonomike paralajmërojnë se kushtet për punë jashtë vendit nuk janë të mira dhe porositën të rinjtë të qëndrojnë në Maqedoni.

“Procesi i arsimit nuk duhet të orientohet vetëm në arsimin e lartë për çdo të ri. Por nevojiten rezultate më të mira në sigurimin e kuadrove profesionalë dhe ato mund të fitohen nëse të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se me arsim të mesëm profesional mund të gjejmë punë të përshtatshme”-pohoi Elena Milevska Shtrbevska, Oda Ekonomike.

Nga ambasada gjermane thanë se në vit lëshojnë rreth 10 mijë viza pune për qytetarë nga Maqedonia. Nuk kanë informata sa qytetarë nga vendi punojnë në të zezë në Gjermani. Për rreth një muaj, personat që nuk janë nga vendet anëtare të BE-së shumë më lehtë do munden të gjejnë punë nga drejtimet deficitare.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP