Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka dorëzuar sot zyrtarisht letrat kredenciale për marrjen e detyrës pranë presidentit të Republikës, Ilir Meta. Paraditen e sotme ajo ka takuar kreun e shtetit, Ilir Meta, i cili lidhur me takimin ka shprehur kënaqësinë për takimin me të dërguarën e re të SHBA-ve. Më tej, Meta ka shtuar se SHBA është i partner i pazëvendësushëm për Shqipërinë, me të cilin vendi ynë ka përballuar të gjitha sfidat.

Pas takimit me Metën, Kim ka shkuar në zyrën e ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca. Pasi e ka pritur me trëndafila të kuq, Soreca ka shprehur gjithashtu kënaqësinë e tij për bashkëpunimin, duke e paralajmëruar Kim-in se ky vit është i rëndësishëm për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Ndërkohë që pasi ka përfunduar të gjitha takimet, Kim ka mbajtur një fjalim nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë. Në shi, me çadër, e veshur e gjitha me të zeza, Kim ka kujtuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së, që para 100-viteve. Kryediplomatja amerikane tha se është e nderuar që merr këtë detyrë nga presidenti Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ndërkohë që iu kujtoi të gjithë shqiptarëve, se “ishte presidenti amerikan që ndaloi ndarjen e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha, kur askush s’i hapte derën”.

Kim mbërriti në Shqipëri të mërkurën e kaluar, trembëdhjetë ditë pasi bëri betimin në Departamentin Amerikan të Shtetit. Ajo ka deklaruar se do të nxisë udhëheqësit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP