Për thuajse 4 ditë e moshuara Drita Xhafa ka fjetur jashtë banesës, me të vetmet ndihma nga fqinjët e saj, që herë pas herë e merrnin në makinën apo në shtëpitë e tyre sa për të mos e lënë në të ftohtin e këtyre mbrëmjeve.

Katër net, e vetëm me zërat e të bijave që dëgjohen orë pas ore nga një celular, ajo mori një vendim. Të kërkonte ndihmë. Ta strehonin diku.

Fqinjët e saj lajmëruan, se në fundin e një rrugice të Tiranës, një nënë ka mbetur vetëm, jashtë dhe e pafuqishme për të kërkuar ndihmë në një kohë kur dëgjon se situata është edhe më e rëndë në qytetet që rrethojnë Tiranën. Por, kur A2 mbërrin në banesën e saj, ajo hap derën dhe guxon të hyjë aty ku i kanë thënë të mos shkojë.

Shtëpia e saj është e pabanueshme, por e ka të vështirë ta braktisë. Megjithatë ajo tregon historinë e saj për A2 dhe brenda dy orësh, i thonë se do të vijnë ta marrin. I duhet të durojë edhe një natë jashtë.

Është mëngjesi i së dielës dhe ajo është gati. Nuk ka shumë gjëra për të shpëtuar. E rëndësishme është kutia e ilaçeve dhe disa kursime të jetës. Ajo ka njoftuar sërish A2, jo vetëm për të falënderuar që i dha zë shqetësimit të saj, por edhe sepse shpreson se nëse ne do të jemi aty, bashkia do të dërgojë dikë më shpejt për ta marrë.

Makina e Bashkisë mbërrin pak pas mesditës. Drita Xhafa nuk e di kur do të kthehet në banesën e saj, di vetëm që atë nuk do ta braktisë kurrë edhe pse tashmë është më ngrohtë në qendrën sociale të Tiranës.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP