Fshatrat e Vorës janë të prekura thellësisht nga tërmeti i 26 Nëntorit. Shtëpi të shkatërruara, njerëz që kalojnë natën jashtë, me çadra të siguruara me shumë vështirësi, ky është realiteti që shohim ne këtu.

Ndalesa e parë është shtëpia e Sulejman Kasës, që siç duket nga pamjet, është tërësisht e pabanueshme. Natën e tërmetit, fati ishte në anën e tij dhe të bashkëshortes, pasi ata të dy po flinin në katin e parë të banesës, ndërsa në momentin që kanë tentuar të dalin jashtë, tjegullat e çatisë kanë rënë, duke iu rrezikuar jetën.

Sulejmanin e gjetëm të vetëm, pasi e shoqja, e operuar një muaj më parë, ndodhej në kryeqytet për të marrë mjekim. Por, si një çift i thyer në moshë, ata e kanë të pamundur rindërtimin e godinës nga fillimi. E ndërsa dimri afroi, për ta nuk është bërë e mundur as edhe një çadër.

Realiteti është i hidhur edhe në fisin Zylfo. Tre familje të vizituara nga Klan Plus, po e kalojnë natën nëpër çadra.

Kjo është hyrja për në shtëpinë e Gëzim Zylfos. Një familje me 4 anëtarë, që pavarësisht dëmtimeve të bëra në godinën e tyre, fatmirësisht nuk ka pasur lëndime në njerëz. Por kjo tragjedi natyrore i ka prekur shumë, pasi për ta, puna e një jete është e çuar dëm.

Ndërsa vëllai i tij, Gëzim Zylfo, megjithëse nuk ka pësuar dëmtime të mëdha, është detyruar që të birin, së bashku me djalin katër muajsh dhe bashkëshorten, ta dërgojë drejt Italisë, pasi këtu nuk ka asnjë siguri. Ndërsa qëndrimi brenda në shtëpi, është i frikshëm.

Edhe kushëriri i tyre, që natën e 26 Nëntorit ndodhej në Itali, është prekur nga kjo fatkeqësi. Me nipin e vogël, mbesën dhe tre vajzat, edhe ai duhet ta kalojë natën këtu.

Ata detyrohen të hyjnë në shtëpi herë pas here, pasi nuk kanë ku të gatuajnë. Situatë e vështirë paraqitet tek familja e Sefer Zylfos. Duke mos marrë asnjë ndihmë nga qeverisja vendore apo shteti, ai është detyruar të ngrejë plastmas në formën e një çadre për të kaluar 6 netë, ndërsa një normale ka arritur ta sigurojë vetëm nga ndihmat e mbërritura nga vendet e huaja./Klan Plus

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP