Mes morisë së personave që po qëndrojnë prej disa ditësh në qendrën akomoduese hoteliere “KOLAVERI” në Golem, të sheh syri një djalë të imët, rreth të 25-tave, shtatshkurtër, që ndjek me sy vazhdimisht vëllezërit e motrat e tij teksa lëvizin andej këndej në oborrin e qendrës. Ai quhet Ramadan dhe është një nga 12 anëtarët e familjes që ka mbërritur prej së martës nga fshati Shënavlash në qarkun e Durrësit.
Shtëpia e tyre është dëmtuar e gjitha, por Rmadani tregon se i vetmi që po qëndron në rrënojat e tij është babai.

“Prej 2 muajsh kemi zbritur nga Laçi në Shënavlash për një jetë më të mirë. Përveç meje askush tjetër nuk punon dhe babai kujdeset për gjënë e gjallë. Ai po kalon natën në oborrin e shtëpisë private, në çadër, pasi ka merak bagëtinë. Ajo është e gjithë pasuria jonë”, thotë djali dhe në sytë e tij shihet pak trishtim. Kushtet në qendrën “KOLAVERI” janë shumë të mira. Motrat dhe vëllezërit e Ramadanit po jetojnë në një vilë me 3 dhoma, në ambiente të ngrohta dhe me hapësirë si dhe ushqim shumë të mirë.

Por 25-vjeçari, i cili duket se ka marrë drejtimin e familjes në vend të babait, është i shqetësuar për veshjet, pasi nga shtëpia kanë dalë vetëm me veshjet e trupit. Ndërsa na rrëfen këtë merak, në dyert e qendrës akomoduese mbërrijnë disa automjete me veshëmbathje për të gjithë të akomoduarit këtu. Është vetë ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi që po ndjek këtë operacion për sistemimin e të gjithë personave që u dëmtuan nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Ramadani tregon se që në minutat pas tërmetit, ku familja e tij shpëtoi për mrekulli, u kujdes vetë që e gjithë familja të mos qëndronte në çadër. “Kam telefonuar në të gjithë numrat që shihja në televizione apo në rrjetet sociale. Deri sa thirrja ime përfundoi në telefonin e zv/ministres së Turizmit dhe Mjedisit”, -thotë ai. Ramadani tregon se ka qenë vetë znj Ornela Çuçi që më makinën e saj ka kryer transportin e të gjithë familjes në qendrën akomoduese në Golem. Frika dhe tmerri që përjetuan mëngjesin e 26 Nëntorit po shuhet pak nga pak. Në kokën e 25-vjeçarit dhe motrave e vëllezërve të tij po thuren të tjera ëndërra.

Dëshira për rinisur punën, është ajo që po mendon në këto çaste. “Dua të punoj atje ku kam qenë, në fabrikë. Po ashtu dhe vëllai të rinisë shkollën”, thotë Ramadani. Qeveria ka vendosur që për të gjithë fëmijët e të rinjtë që ndjekin shkollën, si dhe personat e tjerë që punojnë, të ofrojë transportin me qëllim që askush të mos privohet e të vazhdojë jetën aty ku u ndërpre pas 30 sekondave të tmerrit të 26 Nëntorit. Dielli ka lindur sërish ndonëse pak po ngroh në qytetin e Durrësit. Pas stuhisë retë po fashiten pak nga pak dhe jeta po merr rrjedhën e saj.

Ramadani buzëqesh dhe mezi pret ditën që të realizojë ëndërrën e tij, të ketë një profesion. Sepse për të jeta është një dhuratë dhe ai do e jetojë me të gjitha ngjyrat e saj.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP