Nard Ndoka, kreu i Partisë Demokristiane, deklaroi se në 30 Qershor ndodhi një grusht shteti institucional, pasi qeveria dhe KQZ-ja nuk respektuan dekretin e Presidentit. Për këtë arsye, sipas Ndokës, Ilir Meta duhej t’i drejtohej ndërkombëtarëve ose ushtrisë.

“Presidenti nxori një dekret për 30 Qershorin, që është hedhur poshtë në mënyrë absurde nga qeveria dhe KQZ. Presidenti në këtë rast është nxjerrë jashtë loje, ka një grusht shteti nga kryeministri. Presidenti duhet t’i drejtohej institucioneve ndërkombëtare ose ushtrisë. Zgjedhjet e 30 Qershorit ishin anuluar, ndërsa kryeministri organizoi zgjedhje. Presidenti kishte mundësitë që t’i bënte thirrje Gardës dhe ushtrisë për ta penguar këtë gjë. Ose të jepte dorëheqjen, duke mos u bërë tabelë qitjeje”, deklaroi Ndoka.

Kreu i PDK-së shtoi se tani nuk është koha për batuta nga ana e Presidentit: “Ne i kemi respektuar dekretet e Presidentit, por sot nuk është koha për deklarime sportive apo batuta. Meta nuk i jep rëndësinë e duhur institucionale papërgjegjshmërisë së kësaj mazhorance. Opozita nuk e zgjidh dot këtë përplasje institucionale. Presidenti po merret me datën, por nuk është problem data, por zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.

Kur u pyet në lidhje me koordinimin e opozitës për zgjedhjet e 13 Tetorit, Ndoka u shpreh: “Ne kemi vendosur që disa parti, në respekt të dekretit të Presidentit, të regjistroheshim. Edhe për të provuar gadishmërinë e KQZ-së”.

Më tej, Ndoka tha se opozita nuk e ka problem të ulet me Ramën si kryeministër në tavolinë: “Kryeministri duhet të ndërgjegjësohet se e vetmja rrugë janë zgjedhjet e parakohshme me qeveri tranzitore. Pengesa nuk është nëse ne do të ulemi në tavolinë me Ramën si kryeministër. Pengesa është që ai në mendësinë e tij nuk e kupton që po e thellon krizën dhe po pengon integrimin evropian të vendit. Ai dhe vetë moralisht duhet ta jepte dorëheqjen, pa ia kërkuar opozita”.

Në fund, Ndoka tha se “negociatat me Shqipërinë nuk do të hapen”.

“Informacionin e kanë të gjithë, por nuk është bërë publik. Ne duhet të bënim mrekullinë që të organizonim zgjedhje me standarde, për t’i treguar ndërkombëtarëve që jemi të përgjegjshëm. Por, kjo nuk ndodh”, tha Ndoka./A2News.com