Sot u njoftuan dy ndryshime në televizionin News 24, ku drejtuesit e dy emisioneve, A-Shoë dhe Të Paekspozuarit, përkatësisht Adi Krasta dhe Ylli Rakipi, u larguan nga ky television.

Kontratat e tyre dhe emisioneve që drejtojnë duket se nuk janë rinovuar, ndërsa nuk dihet nëse kjo ka të bëjë me presionet politike, konretisht të kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erjon Veliaj apo jo.

Në fakt të dy gazetarët e njohur kanë shfaqur kritika të forta ndaj Ramës dhe Veliajt, edhe pse më parë, Ylli Rakipi, sikundër e ka pohuar edhe vetë publikisht ka mbështetur Kryeministrin aktual.

Ndërkohë që ndryshimet në grupin mediatik të drejtuar nga Irfan Hysembelliu kanë vijuar.

Kështu raportohet se Robert Rakipllari nga kryeredaktor i gazetës “Panorama” është emëruar drejtor i grupit të medias ku futen “News 24” dhe “Balkanweb”. Ndërsa, Andi Tela ka kaluar drejtor i gjithë grupit mediatik të Irfan Hysembelliut.

Pak javë më parë u njoftua se ishte arritur një marrëveshje me gazetarin Sokol Balla, i njohur për qëndrimet pro-Kryeministrit, i cili duket se me emisionin e tij, do të zëvendësojë Ylli Rakipin./boldnews

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP