Pas akuzave të lëshuara dje nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në adresë të PS dhe ish-zv.kryeministres Senida Mesi, vjen reagimi dhe nga kjo e fundit.

Basha e akuzoi Mesin se iu mohoi kontributin socialistëve për t’ja dhënë atë njeriut të Tom Doshit, me urdhër të kryeministrit Edi Ramës. Në reagim, Mesi thotë se Lulzim Basha “po të ishte burrë”, s’do kishte nevojë të citonte atë. Ish-numri 2 i qeverisë, thotë se Lulzim Basha është një lider i paaftë dhe që nuk arrin dot të zhvillojë beteja. Akuzat e Bashës bazohen në një procesverbal të publikuar nga Berisha, ku pasqyrohen debatet në mbledhjen e PS. Dokumenti është mohuar nga PS që e quajti të rremë.

Reagimi i plotë i Senida Mesit:

Mora vesh që Lulzim Basha, ka nevojë për mua për “kauzën e tij RAMA IK”, se normal edhe ato pak demokratikas që kishte i largoi dhe përmes “proçesverbalit” të mbledhjes së PS Shkodër të shkruar në zyrat e PD-së kërkon ndihmë.

Po të ishte burrë, s’do kishte patur nevojë të më citonte dhe të thoshte atë çfarë unë paskam “dëshmuar”, por do e kishte thënë vetë.

Po të ishte lider, do të kishte gjetur vetë provat dhe do të kishte dërguar gjithë të fortët dhe tra.fikantët pas hekurave që në kohën kur ishte Ministër i Brendshëm.

Lulzim Basha, betejat e mija në jetë i kam bërë dhe do vazhdoj t’i bëj vetë, me integritet dhe dinjitet. Po ti kur do i bësh i vetëm betejat e tuaja?

Lulzim Basha, nëse do të bësh ndryshimin, krijo besimin dhe parakushti është të thuash të vërtetën. Njerëzit mund të falin gabimet e mendjes por jo ato të shpirtit.

Nuk jam unë as shkaku e as problemi, shiko nga vetja dhe së paku të kuptosh një herë të vetme se loja jote jashtë sistemit ka vetëm një emër Dështim, ndërsa ai që sjell dështimin e ka një emër Dështak.