Ish-diplomatja Pranvera Skana i ka dalë në mbrojtje ministres Etilda Gjonaj, një ditë pasi kësaj të fundit iu publikuan faturat e kripura të udhëtimeve luksoze.

Në një status në rrjetet sociale, Skana e njohur edhe si ish-partnerja e Henri Cilit shprehet se Gjonaj s’ka pse të ndihet në siklet për fjetjen në hotele luksoze. Ajo thekson më tej se një minister duhet të ndihet e sigurtë dhe gjithashtu meriton një pritje dinjitoze.

Por më tej në shkrimin e saj, Pranvera shkruan e mbrojtja që bëri Gjonaj pas publikimit të faturave ishte e dobët dhe e kompleksuar.

Reagimi i Pranvera Skanës

Etilda mos u komplekso! …. Eshte krejt normale që të qendrosh në një hotel dinjitoz…. E jo te akomodohesh në skutliqet e botes!

Së pari ky është një standart sigurie, që ta kërkon edhe shteti pritës.

Së dyti për arsye kohore, axhenda e një ministri është intensive dhe askush nuk mund të akomodohet në një HOTEL në periferi në një zonë të 6 të Londrës qe merr dy orë me tren për të mbërritur në qendër aty ku janë të vendosura institucionet për takimet, me dhe pa trafikun e çmendur të këtyre metropoleve.

Se treti cdo politikan edhe ai shqiptar meriton një përfaqësim dinjitoz në vendin pritës e jo te endet neper skutliqe.

Së katërti, mbrojta publike që ju bëtë ishte shumë e dobët, ose më saktë këshilltarët tuaj të komunikimit ishin të dobët.

Së pesti, je një ministre që përfaqëson shumë mirë Shqipërinë jashtë dhe kjo ka më shumë rëndësi, për këtë i referohem vizitës tuaj të fundit në Londër në kohën që unë punoja atje.

Dy ditë më parë, u publikuan faturat e rezervimeve ku ministrja Etilda Gjonaj ka shkuar përgjatë vitit 2018. Nga Roma, në Londër, Paris e Bruksel, Gjonaj ka harxhuar rreth 700 euro nata për t’u akomoduar në hotelet më luksoze.

Në një reagim në rrjetet sociale, ministrja u shpreh se këto denoncime nuk janë korrekte, pasi shpenzimet kanë qenë për të gjithë delegacionin dhe se është ngritur një grup auditi për të bërë verifikimet përkatëse.