Analisti Fatos Lobonja, së fundmi në një analizë të shkruar në gazetën Panorama, teksa ka treguar një ëndërr që ka parë me Edi Ramën.

Teksa shpjegon me anë të metaforës së dinozuarve atë që po ndodh në Shqipëri, ku politika ka kapur dhe biznesin me anë të njerëzve të tyre të afërt, Lubonja shkruan se ai mezi e ka mbyllur këtë shkrim.

E teksa kishte rënë për të fjetur, pasi gjithë darkën ishtë përpjekur që të mbyllte shkrimin, në ëndërr i kishtë dalë Edi Rama dhe Sandër Lleshaj, ndërsa në fund i ishte shfaqur dhe deputetja Milva Ikonomi.

PJESË NGA SHKRIMI

Mbrëmë pasi kisha arritur në këtë pikë të shkrimit, s’po më punonte më imagjinata dhe rashë të fle. Në gjumë mu bë vetja sikur isha duke vazhduar shkrimin, por ndërkaq po shndërrohesha në një tiranozaur. Dhe shenja e parë që vura re, ishte se më kishin dalë luspa në trup dhe ndjeva një shndërrim të gishtave të duarve me të cilët po shkruaja në tastierën e kompjuterit. Në fillim ato filluan të më mpihen, pastaj mu zhduk gishti i vogël, pastaj ai i unazës dhe më në fund ai i mesit. Nga me pesë gishta duart mu bënë vetëm me dy gishta, i madhi dhe treguesi, që filluan të rriten e të bëhen siç i kanë duart tiranozaurët: me dy gishta që i përdorin në formë dare për të mbërthyer, e shkulur, e mbytur pretë e tyre. Dhe teksa ato bëheshin gjithnjë e më të mëdhenj mu shpif Edi Rama nga prapa shpine shumë herë më i madh e më i fuqishëm se unë, që kishte varur kokën e tij me gojë të madhe pa veshë dhe gjithë luspa dhe po lexonte me sytë që lëshonin xixa çfarë po shkruaja. Në një moment tha: “në kazan, në kazan!” dhe menjëherë u shfaq ministri i Brendshëm Lleshi që i tha: “si urdhëron shef!” dhe më kapi me darën gjigante të të dy gishtave të tij gjithë luspa dhe, teksa unë përpëlitesha i pafuqishëm duke i folur se po shkelnin të drejtat e njeriut, më rrasi në kazanin e plehrave të padiferencura të lagjes duke i thënë shefit të tij që po gajasej: edhe ky e paska marrë vesh që koha e humanëve ka mbaruar, por s’po e lemë të shndërrohet. Në momentin që po më mbyllte kapakun, më zuri syri Milva Ikonomin që nën qepallat e mbuluara me luspa më hodhi një shikim gati human, sikur t’i kishte mbetur diçka nga koha kur punonim së bashku për të drejtat e njeriut. U zgjova i tmerruar dhe akoma nuk jam i sigurt nëse jam një njeri që pa ëndërr sikur po kthehej në dinozaur, apo jam një dinozaur që po sheh ëndërr sikur është njeri.