Jozefina Topalli, Bujar Nishani dhe Sali Berisha

Ish-presidenti Bujar Nishani ka folur për situatën politike në emisionin ‘Top Talk’ të Top Channel dhe për qëndrimin e opozitës.

Nishani deklaroi se opozita nuk ka dështuar në qëllimin e saj dhe është futur në fazën finale.

‘Opozita në gjykimin tim ka hyrë në fazën e betejës finale. Përderisa nuk kemi një proces të përfunduar, nuk mund të themi që dështoi qëllimi i opozitës. Mendoj se do të ketë një radikalizmim akoma më të madh politik të këtij procesi; të përballjes së qytetarëve me këtë që është tashmë një regjim monopartiak.

Aksioni politik i opozitës synon rrëzimin e qeverisë e Edi Ramës si kryeministër, jo për shkak të betejës politike por që sot ka edhe një objektiv edhe më të madh që shkon përtej rrëzimit të pushtetit. Ka një vizion më të gjerë opozita sot për të instaluar një mënyrë të re të bërjes së shtetit. Procesi politik nuk ka përfunduar dhe kemi hyrë në një fazë të re’, u shpreh Nishani, ndërsa u pyet nëse aksioni që ka ndërmarrë po e dëmton opozitën.

‘Nuk jap një definicion përfundimtar sepse do jetë e ardhmja ajo që do vërtetojë nëse PD është dëmtuar, por institucionet formalisht kanë rënë në Shqipëri. Jemi në një regjim anarkist. Nuk ka asnjë lloj mekanizmi që të kontrollojë e të marrë balancat midis shteteve’, tha ish-presidenti.

Nishani tha se opozitës nuk i pëlqen të dalë në rrugë, por pretendon se është e vetmja zgjedhje që i ka mbetur, ndërkohë që paralajmëron se situata mund të dalë nga kontrolli në një të ardhme të afërt.

‘Nuk është mirë që opozita të jetë në rrugë. Në një sistem normal opozita duhet të jetë brenda institucioneve dhe fakti që ato janë zhbërë dhe për opozitën nuk ka hapësirë. Ky nuk është represion, por çështje asgjësimi. Janë asgjësuar institucionet dhe prej rrugës do të shkojë drejt ribërjes së tyre. Me situatën që ka agravuar deri më sot dhe me atë po ndërton mazhoranca, lëvizja qytetare mund të dalë edhe nga kontrolli i opozitës në një të ardhme të afërt’, u shpreh Nishani.

‘Janë akumuluar aq shumë problematike, që po bëhen shumë agresive. Bëhet fjalë për çështje sociale dhe ekonomike, që opozita nuk mund t’i menaxhojë dot. 85% e qytetarëve shqiptarë nuk janë me këtë qeveri, që do të thotë se 15% nuk mund të sundojë më, deklaroi ish-presidenti, ndërkohë u pyet edhe nëse do të hyjë opozita në zgjedhjet e 13 Tetorit të dekretuara nga presidenti Ilir Meta.

‘Ajo që kam kuptuar deri më tani, është akti shumë herë më i gjerë dhe përtej një date të caktuar. Këtu nuk bëhet fjalë për të konsumuar një datë, një akt formal elektoral. Opozita ka qëllim zhbërjen e një rrjeti të një kompleksiteti kulturash, sjelljesh, mekanizmash, abuziv, jo vetëm në kontekstin politik të pushtetit por edhe të përfshirë me aktivitetin e grupeve kriminale.

Sot kemi një shtet në kolaps, kemi një sistem i cili edhe me 30 qershorin, konfirmoi se Shqipëria nuk i ka ikur mentalitetit dhe kulturës së monizmit. Një pjesë e politikës është e gatshme që ta pranojë monizmin si mekanizëm dhe kulturë dhe të punojë në interes të një pushtit të një segmenti politik, duke shkelur çdo kod ligjor, duke i inkriminuar në segmente të rëndësishme të politikës . nuk bëhet fjalë për të pasur një datë tjetër, për të qenë formale, por për të zgjidhur këtë ngërç institucional, social dhe ligjor që është në Shqipëri’, tha Nishani.