Sa më shumë afrohet 30 qershori, dita e zgjedhjeve për pushtetin vendor, aq më shumë tensionohet situata politike në vend.

Edi Rama dhe Lulzim Basha, përkatësisht liderët e mazhorancës dhe opozitës, janë zhytur në një lojë të fortë nervash, ndërsa ecin pa u ndalur në rrugën e tyre.

Fatkeqësisht, në prag të qershorit kur do të vendoset për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, rrugët që po ndjekin lideri i mazhorancës dhe ai i opozitës, janë diametralisht të kundërta.

Jo se kanë ndonjë ndikim në vendimin që do të marrin vendet anëtare të BE për negociatat, pasi është thuajse e sigurtë se vendimi është shtyrë për në vjeshtë, por kjo luftë nervash mes Ramës dhe Metës përcakton dhe fatin e tyre politik dhe forcave që përfaqësojnë.

E themi dhe forcave politike që drejtojnë dhe përfaqësojnë, pasi me atë ndërtim të “kithët” të piramidës partiake që kanë PS e PD, sidomos pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, fati i liderit politik përcakton dhe fatin e partisë që drejton.

Teksa komunikimi i nëndheshëm dhe në distancë mes Ramës e Bashës ka qënë dhe është nën presionin e fortë të Berishës por dhe të Metës, i cili për shkak të shkatërrimit që i bëri Monika LSI është detyruar të hyjë me kapacitet të plotë në lojë, tani mesazhet “koduese” jepen me letra publike.

Por, parë në një këndvështrim të gjërë, kur dhe partnerët ndërkombëtarë, SHBA dhe BE kanë vendosur të mos involvohen në zgjidhjen e krizës, duke e lënë situatën në dorë të Ramës dhe Bashës, duket se përplasja finale mes tyre është e pashmangshme.

Nëse Basha vijon t’i mbajë të karikuar militantët, të shtuar dhe nga punonjësit e bashkive që drejtohen nga përfaqësues të PD dhe që pas zgjedhjeve dalin pa punë, ndërsa Rama vijon të “shtrëngojë” fort Kushtetutën për të mos shtyrë zgjedhjet, 30 qershori do të jetë pika kulmore kur do të përplasen “kokë më kokë”.

Në të gjitha rastet, cili nga liderët politikë do të tërhiqet nga presioni i kundërshtarit përballë, do të humbasë, humbje që do të transmetohet deri në qelizën më të vogël të partisë që drejtojnë.

“Ustallarët” që janë pas Ramës dhe Bashës e dinë një skenar të tillë, sipas të cilit “ai që tërhiqet i humbet të gjitha”, ndaj dhe qëndrojnë fort duke stimuluar ecjen para në kauzat respektive, duke nxjerrë në një anë dhe jashtë loje uljen në tryezën e dialogut politik.

Dhe, nëse nuk ka ndërhyrje të partnerëve ndërkombëtarë për t’i ulur në një tryezë dialogu, përplasja “kokë më kokë” mes Ramës dhe Bashës është e pashmangshme.

Pasi palët qëndrojnë fort deri më tani në devizën e tyre: Opozita nuk hyn në asnjë lloj zgjedhjeje me Ramën kryeministër, duke argumentuar se ai vjedh zgjedhjet, ndërsa mazhoranca është e vendosur për “respektimin” e Kushtetutës për 30 qershorin.

Lufta e nervave mes Ramës e Bashës vazhdon me të njejtin intensitet, gjithçka varet nga fakti se cili nga ata “ul sytë i pari”./Pamfleti

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP