Majlinda Kelmendi e ka nisur vitin 2019 në mënyrë fantastike.

Xhudistja nga Peja ka fituar medaljen e artë në Grand Prix të Tel Avivit, eveniment që ka nisur sot.

Kampionia olimpike e ka mposhtur në finale izraeliten Gili Cohen për ta fituar medaljen e parë për vitin e ri.

Majlinda e kaloi setin e parë pa luftë në kategorinë deri 52 kilogramë, kurse në atë të dytë ishte më e mirë se gjeorgjiania Tetiana Levytska-Shukvani.

Në çerekfinale, Kelmendi mundi zviceranen Fabienne Kocher dhe me këtë rast e preu biletën për gjysmëfinale.

Sportistja më e madhe e Kosovës eliminoi rumunen Andreea Chitu dhe shkoi në finale, ku ishte më e suksesshme se izraelitja Cohen.