Federata e Futbollit e Anglisë (FA) e ka ngarkuar trajnerin e Liverpoolit, Jurgen Klopp, me akuzë për sjellje të pahijshme për shkak se vrapoi nëpër fushë, pasi skuadra e tij e mposhti Evertonin në “Anfield” me një gol të vonshëm në minutën e 96-të.

Klopp vrapoi për ta përqafuar portierin Alisson, pasi Divock Origi realizoi gol në sekondat e fundit në derbin e Merseyside të dielën, transmeton Gazeta Express.

Liverpooli fitoi 1-0 dhe iu afrua në vetëm dy pikë liderit të Premierligës Manchester Cityt.

Klopp, i cili ka kërkuar falje, ka kohë deri të enjten në orën 19:00 për t’u ankuar.

Trajneri gjerman, duke folur pas ndeshjes tha: “Më duhet të kërkoj falje sepse nuk kam dashur të tregoj mosrespekt, ama nuk munda ta ndal veten”.

“Nuk planifikova të vrapoj”, shtoi ai.

Klopp mund të gjobitet, paraljmërohet për sjelljen e tij në të ardhmen apo të pezullohet./Express